De Biasi e përzuri nga kombëtarja e Shqipërisë, tani i thur lavde në Serie A

8 Janar 2020
15:58
Alfred Lleshi
back button

Nëse ka një dëm që De Biasi i ka shkaktuar kombëtares kuqezi, ky lidhet me përgatitoren para finaleve të “Euro 2016”. Edhe falë tij, Shqipëria shkoi për herë të parë në finalet e një kompeticioni madhor, siç ishte Kampionati Europian i fundit, por po ashtu, me “investimin” e tij, humbi dy lojtarë të mëdhenj për vazhdimësinë. E kemi fjalën për Amir Rrahmanin dhe Milot Rashicën, të cilët u “skarcuan” nga italiani asokohe, duke mos i marrë në Francë. 

Për pasojë, ata vendosën t’i braktisin kuqezinjtë dhe të shkojnë e të luajnë me Kosovën, ku kanë shkëlqyer rregullisht. Dihet tashmë edhe ecuria e tyre në nivel klubesh, ndaj pengu është mjaft i madh. Pavarësisht se e mban mbi shpinë këtë “mëkat”, De Biasi nuk e ka për hiçgjë që ta lartësojë ish-mbrojtësin e Partizanit në Itali. Deklaratat e ish-trajnerit të Torinos në Serie A, fokusohen ndër të tjera te dy mbrojtësit shqiptarë të Hellas Verona, që i pëlqejnë Napolit. 

Për “Radio Kiss Kiss”, Gianni De Biasi thuri ladve për prishtinasin dhe shkodranin: “Rrahmani është një lojtar, që po e tregon vlerën e rëndësinë edhe në Serie A. Ai ka shumë personalitet dhe nuk e ka vuajtur aspak presionin te Verona. Është një lojtar shumë i fortë, me teknikë të mirë, që e meriton interesimin e Napolit. Është një i ri i talentuar. Edhe Kumbulla ka personalitet, është shumë agresiv, i matur në ndërhyrjet e tij dhe mjaft i mirë në lojën ajrore. Ai ka një të ardhme të ndritshme përpara”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit