De Biasi mohon Ansi Agollin, zbulohet stafi i tij në krye të Azerbajxhanit

13 Korrik 2020
12:31
Alfred Lleshi
back button

Aventurë e re në krye të një ekipi kombëtar për Gianni De Biasi. Trajneri 64-vjeçar italian, pasi e kualifikoi Shqipërinë në “Euro 2016”, përpiqet ta përsërisë vetveten me Azerbajxhanin. Ishte vetë trajneri, ai që konfirmoi lajmin, me qëllimin ambicioz për ta kualifikuar Azerbajxhanin në Kupën e Botës së Katarit, në vitin 2022. Do të jetë e vështirë, por për De Biasi nuk është diçka e re të bërit mrekulli me “Hirushet” e futbollit.

“Gazzetta dello Sport” ka zbuluar edhe dy emrat, që do të ketë në staf ish-trajneri ynë kuqezi. Nuk bëhet fjalë për Ansi Agollin, i cili ka luajtur për disa vite me Karabakun, por dy italianë: Benny Carbone dhe Claudio Bellucci. Të dy janë ish-lojtarë të Napolit. Me kombëtaren e Azerbajxhanit, De Biasi do ta ketë angazhimin e parë zyrtar më 5 shtator, në Ligën e Kombeve, në grupin C, ndaj Luksemburgut. Në këtë grup, gjithashtu, bën pjesë edhe Qipro me Malin e  Zi.

Ndërkohë, duke folur për mediat azere, De Biasi ka folur me emocion për aventurën e re si trajner: “Bukuria e vendit tuaj më ka lënë pa fjalë. Kryeqyteti është i madh dhe dinamik. Ka një popullsi prej dy milionë banorësh dhe vendoset në brigjet e detit Kaspik. Vërtet shumë tërheqës. Nuk mund të jem aty aq shpesh, si kur drejtoja Shqipërinë. Atje kaloje nga Tirana në Itali shumë lehtë. Ndërkohë, itinerari me Bakun është pak më i ndërlikuar, pasi duhet të shkosh në Stamboll filimisht dhe pastaj të marrësh avionin për atje.

Kam tre muaj që po vëzhgoj dhe shoh videot e kombëtares së Azerbajxhanit. Të gjitha të dhënat që kanë dalë në media për rrogën time nuk janë të vërteta. E dini se çfarë është e rëndësishme për mua? Nuk po vij për para tek Azerbajxhani, por për të bërë një punë të rëndësishme me kombëtaren. A do të marr ndihmës Ansi Agollin? Jo, është e pamundur për momentin, sepse ka kontratë me klubin e tij në Amerikë. Natyrisht, do të më pëlqente shumë ta kisha në staf për të ardhmen, pasi e njeh mjaft mirë këtë vend, futbollin e Azerbajxhanit, duke qenë se ka luajtur për shumë vite te Karabaku”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit