De Bruyne: Përderisa ka mbërritur deri në finale, Interi është i fortë. Ja çelësi ynë për sukses

9 Qershor 2023
10:50
Alfred Lleshi
back button

Nesër do të luhet finalja e Ligës së Kampionëve mes Interit dhe Manchester City. Kevin De Bruyne, “regjisori” i skuadrës angleze foli në faqet e “Gazzetta dello Sport” kështu: “Nuk mendoj se do të bëjmë diçka ndryshe në krahasim me finalen ndaj Chelsea.

Ndoshta do të ketë disa ndryshime në krahasim me dy vite më parë, por nuk mendoj se do të vihen re shumë. Nuk arrin në finalen e Ligës së Kampionëve nëse nuk je një ekip i fortë. Interi pushtoi Kupën e Italisë, i fitoi pothuajse të gjitha ndeshjet e fundit të sezonit.

Zikaltrit janë një ekip me identitet të qartë, me një formë dhe stil loje të mirëpërcaktuar. Atë që bëjnë, e bëjnë shumë mirë. Askush nga ne nuk beson se do të jetë e lehtë kundër Interit.

Pastaj është një finale, gjithmonë fillon me të dyja skuadrat që kanë të njëjtat shanse. Ne duhet të shënojmë një gol më shumë se ata, të mbrohemi më mirë se ata, e njëjta histori si në çdo ndeshje… Të jem i sinqertë, mendoj se çelësi i suksesit është të luajmë siç dimë.

Është e vërtetë që zikaltrit kanë stilin e tyre, por edhe ne kemi tonin. Ata janë të ndryshëm, por të dyja skuadrat funksionojnë. Thjesht duhet të sigurohemi që e jona të funksionojë më mirë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit