De Laurentiis plas “bom*ën” tjetër: Po punoj për një kompeticion 10 miliardë eurosh

15 Shtator 2021
12:14
Alfred Lleshi
back button

Në prag të ndeshjes së “Europa League” kundër Leicester, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis dha një intervistë për tabloidin anglez “Daily Mail”. Numri një i klubit blu merr parasysh gjendjen e futbollit dhe komenton: “Champions-i dhe Liga e Evropës nuk krijojnë të ardhura të mjaftueshme për klubet, sa për të justifikuar pjesëmarrjen në turne.

Për të qenë konkurrues keni nevojë për shumë lojtarë të nivelit të lartë. Kjo do të thotë që ju duhet të shpenzoni më shumë dhe paratë e shpërblimeve të garave evropiane nuk mjaftojnë. Kjo është arsyeja pse klubet duhet të flasin me njëri-tjetrin për të krijuar një turne më modern dhe fitimprurës për të gjithë pjesëmarrësit”.

De Laurentiis më pas zbulon se po punon në një projekt: “Ne duhet të zvogëlojmë numrin e garave, duke zvogëluar ndarjet në të gjithë Evropën. Për më tepër, ne duhet të krijojmë një lloj Kampionati Europian me sistem demokratik të hyrjes në të, bazuar në atë që ekipet arrijnë në garat përkatëse kombëtare. Kam ekzaminuar një projekt të gatshëm për të sjellë 10 miliardë euro në një kompeticion të tillë evropian, por duhet vullnet dhe pavarësi totale”.

Duke folur për futbollin anglez, presidenti i Napolit pranon: “Ne italianët duhet të mësojmë nga futbolli anglez. Nëse nuk i ndryshojmë rregullat e lojës dhe e bëjmë atë një shfaqje më të mirë, të rinjtë do të na braktisin dhe futbolli nuk do të jetë më pjesa qendrore e jetës sonë. Hulumtimi im më thotë se njerëzit midis moshës 8 dhe 25 vjeç kanë ndaluar së shikuari futboll dhe preferojnë të luajnë me telefonat inteligjentë.

Ata i kanë transformuar plotësisht fëmijët tanë. Unë nuk po them se zakoni i shikimit të futbollit në një stadium do të vdesë, por ne tani kemi “stadiumin virtual”, i cili mund të tërheqë miliarda njerëz për të luajtur kundër njëri-tjetrit. Kush e di nëse do të jemi në gjendje t’i kthejmë në rrugën e sportit më të madh dhe më me ndikim në botë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit