De Ligt largohet menjëherë: “poker” goditjesh për Juventus-in në merkato

1 Korrik 2022
13:36
Denis Hakanaj

Janë ditë shumë të nxehta në shtëpinë e Juventus-it, për sa i takon Matthijs de Ligt. Kanë qenë fjalët e Maurizio Arrivabene që kanë konfirmuar ndarjen mes palëve.

“Sot është epamundur të mbahet një lojtar që ka dëshirë të largohet. Por është gjithmonë një çështje shifrash, nuk mund t’i thuash një lojtari që do të largohet: urdhëro, je i lirë”, ka thënë drejtuesi bardhezi për Tuttosport.

“Është e vështirë ta mbahet një lojtar kundër dëshirës, por të gjitha palët duhet të largohen të kënaqur nga negociatat. Dhe vlen gjithmonë rregulli: kush i ka paratë, ka fituar”.

Mesazhi është i fortë dhe i qartë edhe për klubet e interesuar për ish-kapitenin e Ajax-it: Juventus do të heqë dorë nga De Ligt vetëm para një ofertë të madhe, që duhet të vijë sa më shpejt të jetë e mundur.

Klubi bardhezi kërkon të shmangë një tjetër operacion “alla Ronaldo”, domethënë një shitje në ditët e fundit të merkatos që do të prishte planet e klubit.

Siç dihet, Chelsea dhe dy klubet e Manchester-it e kanë seriozisht për holandezin. De Ligt, në rast lamtumire, do të financojë merkaton e lerjeve të Juventus-it.

Gjithmonë sipas Tuttosport, drejtuesit e Zonjës po mendojnë të realizojnë katër goditje pas shitjes së qendërmbrojtësit. Në rast të një shitjeje për një shifër të përafërt me 100 milionë euro, bardhezinjtë duan të marrin dy mbrojtës: në radhë të parë janë Koulibaly me Bremer dhe Cherubini po ndjek me vëmendje edhe Kimpembe të PSG.

Më pas pëlqehen edhe Gabriel i Arsenal-it dhe i riu i Monaco, Badiashile. Nga mbrojtja në sulm: Juventus kërkon një sulmues krahu (i preferuari është Zaniolo) dhe një zëvendës të Vlahovic.

Trajneri Massimiliano Allegri ka dëshirë të ketë në krah të serbit një sulmues ekspert dhe i preferuari mbetet Arnautovic. Merkato e Juventus-it sapo ka filluar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit