De Rossi largohet nga Roma me akuzë: Nuk është vendimi im!

14 Maj 2019
15:13
back button

Daniele De Rossi do të largohet nga Roma në fund të këtij sezoni dhe lajmi u zyrtarizua paraditen e sotme nga klubi verdhekuq. Pak orë më vonë, në mesditë, mesfushori 35-vjeçar doli para mediave për një konferencë të gjatë për shtyp, ndërkohë që të pranishëm ishin gjithë lojtarët e Romës, që mbanin veshur fanellën e kapitenit.

"Jam 36 vjeç, e kam jetuar botën e futbollit dhe e kisha kuptuar që pa marrë   ndonjë telefonatë nuk do vinte rinovimi. Nuk doja të krijoja rrëmujë, sepse do t'i hutoja të gjithë. Mendoj se i takon klubit të vendosë kur duhet të vijojë bashkëpunimin me lojtarët. Dikush një vendim duhet ta marrë. Më ka ardhur pak keq për mënyrën si ndodhi, sepse nuk kemi folur shumë, por shpresoj që edhe kjo gjë të përmirësohet në të ardhmen. Ky është futbolli, nuk mund të pretendoj gjëra të tjera.

"E ardhmja? Kam thënë gjithmonë që do më pëlqente të bëhesha trajner, edhe pse drejtues te Roma do kishte një kuptim tjetër. Duke parë kush ka qenë para meje, pa polemizuar, më duket se është shumë e vështirë që të ndryshohen gjërat, ndaj jam më i orientuar drejt të qenit trajner, edhe pse më duhet të studioj shumë".

"Largimi? Jam munduar të përgatitem mendërisht, por nuk do kishte qenë diçka e bukur edhe po të ishte zgjedhja ime. Diferenca në këndvështrim ekziston, sepse unë do doja të vijoja të luaja, ndërsa klubi e mendon ndryshe. Gjithsesi, largohem pa mëri, ndoshta një ditë do flas me presidentin. Duhet ta pranoj këtë vendim, përndryshe do e vuaj gjatë. 

"Administratori i deleguar Fienga sapo tha që jam një drejtues i zoti që tani, por po të isha unë drejtues do ia kisha rinovuar kontratën vetes, sepse nuk krijoj probleme në ekip dhe në aspektin teknik mendoj se kam luajtur mirë. Monchi më kishte siguruar që do rinovoja, por ai u largua dhe më pas nuk kërkova asgjë".

"Pengje? Ndoshta një i tillë është që edhe në të shkuarën kam pasur përshtypjen se klubi ka bërë një hap pas, pikërisht kur niveli i skuadrës dukej thuajse i njëjtë me rivalët që fitonin. Një ndeshje që do e ndryshoja? Po të mundja, do ndryshoja Liverpool-Roma, që ishte si një ëndërr. 

"Nuk kam shumë pengje në karrierë, ndoshta do fshija ndonjë karton të kuq apo ndonjë gjë tjetër të vogël, por vendimi për të mos u larguar kurrë nga Roma ka qenë me bindje të plotë dhe nuk do i ndryshoja asnjë presje. Me një shkop magjik do shtoja ndonjë trofe më shumë, kaq, por edhe ato nuk do i vija kurrë para tifozerisë së Romës. Edhe tani ndarja është e dhimbshme, por lidhja jonë mbetet e përjteshme. Ndoshta tifozët do më gjejnë me ndonjë birrë e panine në ndonjë tribunë duke bërë tifozllëk për miqtë e mi".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit