“De Rossin e donim te Juve, por në zemër kishte vetëm Romën”

15 Maj 2019
11:59
Alfred Lleshi
back button

Lamtumira e De Rossit nga Roma, e njoftuar prej vetë futbollistit ikonë të verdhekuqve kryeqytetas, ka shkaktuar jo pak polemika në futbollin italian. Flitet edhe për mungesë respekti në trajtimin e kapitenit nga klubi i zemrës, ndërkohë që mjaft figura të njohura të Serie A kanë dhënë mendimin e tyre për këtë tërheqje. Që nga Maldini e deri te Totti, të gjithë kanë pasur vlerësime maksimale për mesfushorin, që tërë karrierën deri këtu ia kushtoi një klubi të vetëm, Romës. 

Mes tyre ka pasur edhe të befasuar nga ky “divorc” i papritur mes palëve. Ndër të goditurit nga ky lajm ka mbetur Claudio Marchisio, i cili zbuloi se ishte përpjekur ta bindte atë të shkonte në Torino, te Juventusi, në kohën e përbashkët te kombëtarja axurre: "Unë e admiroj aq shumë, sepse është e vështirë të qëndrosh në të njëjtën skuadër për shumë vite, të ripërtërish stimujt, të marrësh gjithçka që është e mirë, por edhe gjithçka tjetër, që është më pak e mirë. Ai është një njeri i madh. Jemi munduar ta bindnim të vinte te Juventusi bashkë me Gigi Buffon dhe Giorgio Chiellini, kur grumbulloheshim me kombëtaren, por në zemrën e tij ishte vetëm Roma”. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit