Debutoi 16 vjeç e pak… Lukaku synon të 30-tin dhe të thyejë tabunë e çerekfinaleve

5 Gusht 2020
12:52
Alfred Lleshi

Sipas kapitenit Handanovic, sekreti i sotëm është “cazzimma” (autoritet, ligësi, egërsi, cinizëm, mendje e mbledhur). Mbrojtja zikaltër e ka atë, sepse në 4 ndeshje me radhë e ka ngritur murin përpara Samir. Mesfusha muskulore, që përqendrohet në treshen Barella-Brozovic-Gagliardini, ka sigurisht “lokomotivën” përpara, Romelu Lukaku. Belgu është simboli i betejave interiste tashmë. Me një buzëqeshje dinake dhe plot instikte për golin (saktësisht “cazzimma” napolitane, e përmendur në mënyrë të pazakontë nga slloveni Handanovic) është sulmuesi që Conte e donte me çdo kusht dhe u bë fytyra e Interit këtë sezon.

Gjithmonë ka qenë i tillë, nga ulërima e parë e “San Siros”, pas golit kundër Lecce, gushtin e kaluar, deri në vendin e dytë në kampionat, të “mbajtur me dhëmbë” në Bergamo. Një natë pa gol për të, por me pankinë, rifillim, ndihmë për shokët, elementë mjaft të rëndësishëm. Filozofia zikaltër hyri shpejt në venat e tij, brenda muskujve të tij. Sot të gjithë janë me sytë drejt tij, presin golin, që Interi të kualifikohet në çerekfinale të Ligës së Europës. Ëndrra e qendërsulmuesit belg është gjithashtu të fitojë një trofe europian. Dhe kjo mund të jetë me të vërtetë koha e duhur, duke pasur parasysh edhe rivalët në lojë, ku vetëm Manchester United ngjall frikë më shumë se Interi.

Kjo është arsyeja pse interistat duhet të besojnë tek ai, të mbështeten te Romelu, njeriu i ëndrrave, që në “Europa League” kërkon golin e 30-të të sezonit të parë në “San Siro”. Deri më tani, golat e tij sezonalë janë 29. Prej tyre, 23 i ka shënuar në Serie A, 6 të tjerë i ndan në mënyrë të barabartë midis Champions-it, “Europa League” dhe Kupës së Italisë. Në Champions nuk arriti të performojë ashtu siç do të dëshironte. Pastaj erdhi kupa më e vogël. Kundër Ludogorets, para ndalesës për koronavirusit, ai shënoi në Bullgari dhe brenda “San Siros” së zbrazët. Tani, pas më shumë se 5 muajsh, rikthehet Liga e Europës. Interi e fillon përsëri pikërisht aty ku e la: me Lukakun të domosdoshëm në sulmin e vet. Belgu, sipas të gjitha gjasave, sonte, kundër Getafe, do të luajë përkrah Lautaro.

Alexis Sanchez është aty, për të dhënë ndihmën e tij. Gjithsesi, shpresat janë varur te “Lu-La”, se ky duet sulmues do të bëjë të dridhet mbrojtja spanjolle, të lumturohet tifozëria zikaltër, siç ka ndodhur shumë herë këtë vit. Në partneritet me Lautaro Martinez, Lukaku do të përpiqet të kapërcejë pengesën e parë, duke pasur parasysh që ka një llogari të jashtëzakonshme me “Europa League”. Debutoi në këtë kompeticion si sulmues i Antwerp, kur ishte vetëm 16 vjeç dhe 127 ditë. Ishte 17 shtatori 2009, luajti për Anderlecht dhe shënoi golin e parë europian (për klube) ndaj Dinamo Zagreb. Pastaj erdhën edhe 14 gola të tjerë në 29 ndeshje të luajtura në total. Me pak fjalë, pra, midis Anderlecht, Everton dhe Inter, Romelu ka shënuar gati gjysmën e golave në ​​çdo ndeshje. Një sulmues që jep siguri, edhe pse vitet e fundit, asnjëherë nuk e ka kaluar 1/8 finale.

Ai u përpoq dy herë, por Hamburgu më 2010 dhe Dinamo Kiev më 2015 e ndaluan kualifikimin e tij në çerekfinale të Ligës së Europës. Tani është shansi për të shkuar më tej, duke sfiduar Getafen brenda stadiumit si anije kozmike të Schalke 04. Dje, duke hyrë në fushën e blertë me shokët e tij për “prekjen” përfundimtare, Lukaku shikonte shpesh përreth dhe ngrinte kokën drejt shkallëve të jashtëzakonshme të tifozëve. “Veltins Arena”, një gjigand prej 61.000 vendesh, padyshim që do të mbetet bosh sonte, por gjigandi belg do të përpiqet ta ngrohë, gjithsesi. Për të filluar udhëtimin, që mund ta çojë në Këln, ku më 21 gusht do të luhet finalja e “Europa League”. Me “cazzimma”, natyrisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit