Debutues me fanellën kuqezi, Mehmeti nuk fshihet: Jam gati, pres të luaj titullar ndaj Polonisë

22 Mars 2023
14:40
Alfred Lleshi
back button

Vjen nga Anglia dhe shihet si përforcim i rëndësishëm për kombëtaren tonë kuqezi. Anis Mehmeti ka dalë sot në konferencë për shtyp nga grumbullimi me kombëtaren dhe ka folur për kualifikuesen e 27 marsit ndaj Polonisë.

Sikurse dihet, kuqezinjtë tanë e nisin fushatën eliminatore të “Euro 2024” në Varshavë, ndaj kombëtares së Robert Lewandowskit. Me emocionet e herës së parë në kombëtaren e madhe shqiptare, Mehmeti iu përgjigj mjaft ambicioz interesit të gazetarëve.

Në janar u transferuat te Bristol City…
Sigurisht, lëvizja e janarit ishte e duhura. Tani jam shumë i lumtur që ndodhem me kombëtaren.

6 lojtarë në sulm dhe skema 4-3-3… A mendoni një vend titullari ndaj Polonisë?
Po, jam gati. Unë luaj për gjithçka, si sulmues i majtë dhe si ‘10’.

Sa shanse ka Shqipëria për të fituar në Poloni?
Është një ndeshje shumë e fortë, spese lojtarët luajnë në kampionatet e forta. Shkojmë për pikë në Varshavë. Unë dua të rri këtu në kombëtare dhe si çdo lojtar të jap maksimumin për këtë fanellë. Tani që më erdhi ftesa e parë jam shumë i lumtur.

Si është të veshësh fanellën kuqezi?
Është një ëndërr e realizuar për mua dhe familjen time. Nuk ka arritje më të madhe se sa të luash me kombëtaren tënde. Kjo fanellë është diçka krejt e veçantë. Sylvinho më ka thënë që çfarë kam bërë në Angli ta përsëris edhe këtu me kombëtaren. Jam gati të luaj që nga fillimi.

Si pritet të luani ndaj Polonisë?
Ne kemi taktikat tona se si do të paraqitemi në fushë. Polonia dhe Lewandowski janë të fortë, por ne do t’i luajmë të gjitha kartat tona.

Si është të luash në Championship?
Unë kam luajtur në këtë këtë kategori, më pas rashë një kategori më poshtë. Championship është një kampionat i fortë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit