Dede gjen justifikimin: Nuk krahasohet ekipi me atë të Egbosë, po vuajmë!

25 Nëntor 2020
16:31
Eraldo Harlicaj
back button

Trajneri i ri i Tiranës, Necil Dede, ka ngecur sërish me ekipin e tij. Ai barazoi ndaj Bylisit duke lënë të zhgënjyer tifozët që prisnin reagim pas humbjes me Vllazninë.

“Ishte ndeshje me dy tablo. Në aspektin e lojës, në pjesën e parë nuk u shprehem si duhet, pavarësisht se kishim dy raste. Më pas skuadra ra në presion dhe kjo na solli këtu. Në pjesën e dytë ishim më ndryshe, ndërruam vendosje dhe ishim më potentë.

“Megjithatë meritojnë komplimente. Nuk është e arsyeshme të them problemet që janë. E rëndësishme është të na kthehen lojtarët. Doja të theksoja një fakt, doja të uroj publikisht Ilion Likën, pasi kishte prindërit sëmurë me koronavirus dhe pavarësisht kësaj ka qenë gati për skuadrën.

“Unë e mendoj projektin, të rikuperojmë sa më shpejt lojtarët, Toshevskin, Torasën, Cale etj. Mund të jemi më solidë dhe mund të imponohemi me futbollin tonë. Duhet të këmbëngulim, por duhet të ndryshojmë disa gjëra të tjera.

“Tirana ishte një skuadër me shumë eksperiencë, ishin lojtarë me karrierë të madhe dhe mund ta zgjidhnin ndeshjen. Pres nga skuadra ime që të kemi kaq raste, më shumë më shqetëson fakti që kemi probleme në mbrojtje me ekuilibrin dhe në disa raste tregohemi shumë keq.

Nuk vajti mirë dyshja Stafa dhe Sefa, Batha u shfaq disa herë përpara dhe mund të kishim shënuar. Në pjesën e dytë u detyrova të ktheja Bathën në dyshen e mesfushës. Sot bëri shumë mirë dhe mund të kishte shënuar gol. Vendosja ishte miks, Muçi ishte si sulmues i dytë. Kemi pak alternativa dhe për këtë dua të jem i sinqertë.

“Në momentin që do të kthehen të gjithë lojtarët, do jenë të qarta edhe qëllimet tona. Duhet kohë, për gjithçka. Koha është e pakët, ndeshjet shumë të ngjeshura, numri i lojtarëve të pakët, sidomos ata me eksperiencë. Minimalisht do më duhet një muaj këtu, maksimalisht tre muaj.

“Fitorja është obligimi i Tiranës. Nuk është korrekte që të bëjmë krahasime me skuadrën e vitit të kaluar. Këtë skuadër nuk e krahasoj dot me atë të Egbosë. Të gjithë duan kohën e vetë dhe të përshtaten”, u shpreh Dede.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit