Dede: Të tregojmë se jemi Tirana, na takon të marrim shpejt përgjgjegjësi  

24 Nëntor 2020
12:16
Alfred Lleshi
back button

Nevil Dede e nisi me një humbje dramtike aventurën e tretë si trajner i Tiranës. Vllaznia ia prishi “inaugurimin” në minutat shtesë, ndaj kërkohet që “biografia” të rregullohet nesër. Ndaj Bylisit, kampionët e vendit në fuqi do të kërkojnë medoemos fitoren. Dede nënvizoi në konferencën për shtyp:

“Është e vërtetë që rezultatet nuk janë të mira, sidomos për objektivat dhe historinë e klubit tonë. Mendoj se grupi është i qetë. Në këto momente që flasim, na takon të marrim më shumë përgjegjësi, që të rikthehemi sa më shpejt te rezultatet pozitive. Më pas çdo gjë të marrë rrugën që i takon këtij klubi.

Bylisi? Unë e kam thënë dhe do ta them gjithmonë, që kam respekt për çdo ekip, për çdo kundërshtar që ne kemi në Superligë. Të gjithë mundohen të investojnë dhe të punojnë. Në këtë situatë, të gjithë dinë të luajnë futboll. Nga ana profesionale të gjitha klubet janë rritur dhe kjo është shumë pozitive, plus edhe infrastruktura, interesimi i mediave. Me respektin që kemi karshi kundërshtarëve, do të mundohemi t’iu imponohemi me personalitet në fushë.

Gjëja positive ndaj Vllaznisë? Të jem i sinqertë, forca e reagimit të grupit ishte arma më e fortë dhe sinjali më i mirë që mora nga ekipi dhe djemtë. E rëndësishme është që të vazhdojmë me atë forcë karakteri. Jo më larg se sezoni i kaluar, kjo ishte arma më e fortë e tyre. Ata besonin dhe në fund ia dolën.

Tirana, po u nis, është e vështirë të ndalojë. Është një fillim jo i mirë, por për ndeshjën me Vllazninë do të thoja vetëm kaq: ne nuk dolëm si humbës, sepse u munduam të bëjmë lojën tonë, shkuam te goli disa herë. Goditëm portën, shënuam 2 gola. Natyrisht, në situata të ndryshme dhe jo shumë të vështira, duhej të kishim pasur përqendrim më të madh.

Pa qendërmbrojtës klasik? Klubi është munduar për mirë me elementët që ka afruar, për të qenë gjithmonë pretendent dhe faktor në futbollin shqiptar. Faktikisht, ka shumë lojtarë të rinj. Unë do të thoja se mbi të gjitha duhet kohë për këtë skuadër. Pa harruar asnjëherë qëllimin apo objektivin madhor që kemi. Krahas qëllimit dhe objektivit madhor që kemi, do të mundohemi të rrisim dhe këta lojtarë. Mosha mesatare është relativisht e re.

Qëllimet janë të përbashkëta. E rëndësishme është që ne të mundohemi të marrim maksimumin nga çdo ndeshje. Duke marrë maksimumin, edhe lojtarët rriten në përgjithësi dhe në mentalitet. Paralelisht, do të mendojmë për rezultatin dhe rritjen e lojtarëve me kapacitet dhe vlerat që ata duhet të kenë.

Situata në skuadër? Lajm i mirë është që Hoxhallari rikthehet. Kemi disa lojtarë që shpresojmë që shumë shpejt të rikuperohen dhe të bëhen pjesë e rëndësishme e skuadrës. Realisht kanë vlera. I gjithë grupi do kohën e vet. Minimalisht do të kërkojmë që brenda javës të rikuperojmë nga dëmtimi disa futbollistë. Po rikuperuam këta lojtarë, do të jetë një Tiranë tjetër.

Nuk ka probleme psikologjike te kjo skuadra. Në momente të caktuara, situata të thjeshta na e ndërlikuan ndeshjen. Psikologjia e skuadrës është në nivel maksimal. Fat i madh që e kemi ndeshjen në mesjavë, sepse në fundjavë duhet të punonim më shumë nga ana psikologjike. Ndërsa kur ndeshja vjen shpejt, ai kapitull është i mbyllur, shkruhet në histori dhe vetëm kaq. Ne do të mendojmë të kthehemi aty ku na takon”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit