Dedikim të madh, Messi ngre në qiell trajnerin e shkarkuar nga Barça

14 Janar 2020
14:36
Alfred Lleshi
back button

Në momentin që po prezantohej trajneri i ri i Barcelonës, Quique Setién, teksa ai ishte duke folur për mediat, ka reaguar edhe kapiteni Lionel Messi. Por, mesazhi i yllit argjentinas kishte të bënte me të shkarkuarin, Ernesto Valverde, trajnerin që i drejtoi blaurana-t për dy sezone e gjysmë. Përmes rrjeteve sociale, Messi e ka quajtur profesionist dhe njeri të shkëlqyer ish-trajnerin e vet:

“Faleminderit për gjithçka, mister (zotëri). Jam i sigurt që do të bësh shumë mirë kudo që të shkosh, sepse je një profesionist i shkëlqyer, je një njeri i mrekullueshëm. Paç fat dhe një përqafim të madh!” Këtë status, kapiteni i kampionëve spanjollë e ka shoqëruar me dy foto të tijat me Ernesto Valverde, gjatë seancave stërvitore. 

Një tjetër konfirmim i asaj që është thënë nën zë, se trajneri i shkarkuar ka pasur mbështetjen e yllit të skuadrës gjatë gjithë kohës. Madje, edhe mbas eliminimit të turpshëm në gjysmëfinalet e Champions-it, edicionin e kaluar, ndaj Liverpool. Asoskohe u tha se ishin senatorët katalanas, ata që e prapësuan shkarkimin e vendosur nga drejtuesit e klubit. Kësaj here, pavarësisht mbështetjes, nuk e kanë ndryshuar dot fatin e 55-vjeçarit. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit