Dedja i nervozuar: Lojtarët e mi ecin, do bëj ndryshime. Penalltia? U habita nga Jorgji!

19 Qershor 2020
19:12
Eraldo Harlicaj
back button

Trajneri i Vllaznisë, Hysen Dedja, ende nuk ka marrë fitoren e parë në drejtimin e kuqbluve. Humbja ndaj Tiranës me rezultatin 3-0 ka mërzitur shumë numrin një të stolit kuqeblu që ka folur mjaft ashpër pas humbjes.

Disfata – “Isha përgatitur ta prisja Tiranën në gjysmëfushe dhe ta zinim në befasi. Në momente të veçanta mund ta bënim përpara se të pësonim golin, por kemi mungesë përqendrimi dhe përgjegjësie shumë të madhe”.

Ndeshja– “Lojtarët janë mësuar të luajnë vetëm për interesat e tyre, pësuam shthurje. Atë që tentuam ne, e bëri Tirana, na zuri në befasi. Edhe goli i dytë ishte shumë banal. Aty mbaroi gjithçka. U mundova kur mbaroi pjesa e parë, kundërshtari ishte me një lojtar më pak, por nuk ndodhi asnjë farë reagimi dhe dëshire.

“Nuk përjashtoj veten, por lojtarët, edhe ata me përvojë, ecin në fushë. Mendova t’i bllokoj krahët e Tiranës, por ne kemi probleme shumë të mëdha. Nuk kam çfarë punoj më në këtë periudhë. Do të qetësohem, do e shoh ndeshjen sërish, por e kemi shumë të vështirë”.

Penalltia e mohuar– “Shumë e habitshme që Jorgji nuk e akordoi këtë penallti, ishte shumë e habitshme”.

Portieri– “Po t’i shikosh takimet pas pandemisë, edhe goli në Vlorë, pesë gola pësuam në Laç, katër në Shkodër, sot tre. Do të ndërhyj në portë, do t’i iki këtyre lojtarëve që ecin nëpër fushë. Një ndër to do të jetë edhe portieri, do të ndërhyj aty”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit