Dedja: Luhet fati i futbollit shkodran, Besëlidhja nuk ka asnjë shans

1 Gusht 2020
15:09
Alfred Lleshi
back button

Vllaznia duhet të kalojë përmes “play-out”-it për të mbijetuar në Superiore. Për këtë, duhet kaluar me sukses Besëlidhja fqinje, në derbin e zjarrtë të së dielës në mbrëmje, që do të luhet prej orës 19:00 në “Loro Boriçi”. Trajneri Hysen Dedja, në prononcimin e tij për mediat, një ditë para ndeshjes së rëndësishme, shprehet i bindur se skuadra e tij do të fitojë dhe do të mbetet sërish në Superiore.

Profesor, një ndeshje shumë e rëndësishme e nesërmja me Besëlidhjen…
Kuptohet që është shumë e rëndësishme. Në takimin e fundit me Pogradecin konstatova se kemi të bëjmë me një kundërshtar që duhet respektuar, por nuk mendoj asnjë gjë tjetër. Me bisedat që kam pasur me skuadrën, me kohën që kam në dispozicion, me kushtet e mira që na ka krijuar sponsori Alban Xhaferi, kam pasur kohë edhe për seancat stërvitore. Kuptohet që kjo ndeshje vendos fatet e krejt sezonit. Ka impenim maksimal nga të gjithë, jemi të përgjegjshëm se për çfarë bëhet fjalë. 18 lojtarë që janë në grumbullim, po vendosim 11-shen që do të startojë. Mendoj vetëm rezultatin pozitiv, që është fitorja. Kjo kuptohet, nuk arrihet vetëm me dëshirë. Duhet që dëshira të jetë brenda, por ka një logjikë loje, që do ta nxjerrim në pah. Pa dashur të ulim vlerat e kundërshtarit, cilësia e skuadrës sonë është më e mirë. Lojtarët tanë janë në gjendje krejt optimale. Rëndësia e ndeshjes lidhet me fatin e sezonit, përcakton ecurinë e skuadrës dhe të individit. Gjithësecili, duke filluar nga unë, kolegët e mi, deri te futbollistët, që janë aktorët kryesorë në fushën e lojës, besoj se do të japim maksimumin.

Si e keni motivuar skuadrën për këtë ndeshje?
Shikoni, nuk bëhet fjalë për ndonjë gjë kushedi se çfarë. Të gjithë i kemi në krah, duke filluar nga kryebashkiakja, administratori, sponsori, tifozët, të cilët erdhën edhe dje në stërvitje për të na përkrahur. Besoj se edhe pa këtë mbështetje, lojtarët janë të motivuar maksimalisht për të bërë më të mirën. Të gjithë janë të vetëdijshëm se fatet e kësaj skuadre, pavarësisht si erdhëm deri këtu, janë në dorën tonë. Ne e kemi sjellë deri këtu situatën, ne do ta nxjerrim Vllazninë prej saj. Pra, është një 90 minutësh shumë i rëndësishëm për ne.

A ju vjen keq që Vllaznia vazhdon të jetë në këto ujëra sërish?
Më vjen shumë keq, por tani nuk kam kohë të analizoj si është Vllaznia, është koha që të mendoj ta kalojmë nesër këtë sfidë, jo me sukses, por me shumë sukses. Mendoj që ditën e hënë, klubi dhe sponsori duhet të bëjnë një analizë të gjatë. Vllaznia duhet të ketë atë emër që ka pasur. Nuk duhet të gabohet prapë, të kalojë Vllaznia përsëri në kësi problemesh si vitet e fundit. Mendoj që analiza duhet të bëhet mbrapa.

A do të vazhdoni të jeni në krye të Vllaznisë sërish?
Ajo është në dorë të klubit, sponsorit dhe, pasi të shihet puna ime, që kam bërë këto dy muaj, le të vendosin. Atë nuk e di as unë, sepse kam firmosur deri për datën e nesërme.

Përballë do të keni një ish- futbollist tuajin, Elvis Plorin, i cili do të tentojë t’ju mundë. Një mendim për këtë gjë?
Me respektet më të mëdha për Elvisin (Plori), një ish-sportist i imi, djalë shumë i edukuar, një profesionist i vërtetë, por këtu duhet të ndahet gjërat. Jemi kundërshtarë nesër, motivet tona janë shumë të mëdha. Luhet fati i futbollit të Shkodrës, prandaj dhe Plori nuk ka asnjë shans të fitojë ndaj Vllaznisë. Fjala mbijetesë duhet hequr njëherë e mirë nga fjalori i futbollit shkodran. Përnqendrimi është maksimal dhe besojmë vetëm tek suksesi nesër.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit