“Deja Vu”, Shkëndija mundet me dy gafa në Europa League (VIDEO)

23 Korrik 2019
19:47
back button

Ashtu siç ndodhi në eliminimin ndaj skuadrës së Kalju për Champions League, kështu ndodhi edhe sot ndaj Dudelange në Europa League. Shëkndija e Tetovës u mund me rezultatin 2-1 në Shkup, në një ndeshje ku mbështetja e tifozëve ishte e pakushtëzuar për 90 minuta.

Shkëndija e nisi në sulm që në minutat e para duke zhvilluar lojë të rrjedhshme dhe me kombinime të sakta, çka solli edhe një penallti të fituar nga Radeski, që Ibraimi e ktheu në gol në minutën 7’.

Skuadra kuqezi tentoi edhe në disa raste të tjera në 45 minutat e para për të shënuar, por nuk arritën të finalizojnë si duhet.

Gjithçka përcaktohet në minutën 64’, më saktë është minuta 63:08 kur sulmuesi Bettaieb hidhet në fushë si zëvendësues dhe në minutën 63:29 ai dërgon topin në rrjetë pas një dalje tepër të gabuar të portierit Rexhepi.

Si për të mos mjaftuar kjo, portieri 22-vjeçar bën një tjetër gafë dy minuta më vonë, duke shkaktuar një penallti të pafalshme, me një ndërhyrje amatore dhe sulmuesi Danel Sinani shënoi për Dudelange. 

Në minutat në vijim skuadra e drejtuar nga Qatip Osmani provoi të barazojë shifrat, por tensioni dukej qartë tek ta, madje në një rast desh pësuan edhe golin e tretë.

Tani shkojnë në Luksemburg për ndeshjen e kthimit me një rezultat aspak pozitiv, po shpresat për kualifikim janë ende aty dhe Shkëndija mundë të ia dalë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit