Dembele apo Coutinho? Valverde i jep zgjidhje “armiqësisë” së heshtur

23 Prill 2019
9:31
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, nuk do të ngutet me Ousmane Dembele, ndërsa lojtari i krahut duhet të rikapë formën e tij, pas një muaji i dëmtuar. Kampioni i botës me Francën mbërriti te Barça nga Borussia Dortmund për një shumë fillestare prej 105 milionë euro, në gusht 2017.

Ai u kufizua në vetëm 24 ndeshje në të gjitha garat, në sezonin e tij të parë, për shkak të lëndimeve. Megjithëse ka arritur të luajë 38 ndeshje në këtë sezon, ai ka vuajtur sërish nga dëmtimet. “Ousmane është ende duke u stërvitur sipas një programi të veçantë, – tha Valverde në një konferencë për shtyp, përpara ndeshjes së të martës me Deportivo Alaves. 

– Dembele nuk është i plotë, si para lëndimit të tij. Sigurisht, ai na ofron shpejtësi dhe, nëse ekipet e tjera luajnë lart, është i shkëlqyeshëm në kundërsulm. Ne mund ta shfrytëzojmë në këtë drejtim, ndërsa është shumë i mirë edhe në dyluftimet një kundër një".

Dembele dhe Philippe Coutinho kanë pasur rivalitet të ashpër gjatë eksperiencës së tyre te Barça. Trajneri Valverde këmbëngul se çdo lojtar duhet ta fitojë vendin në formacion: "Gjithçka është e barabartë midis të gjithë lojtarëve, askush nuk është përpara askujt. Ndonjëherë luan një lojtar, pastaj të tjerët. Kjo është normale për çdo klub, jo vetëm te Barça. Çdo lojtar duhet ta fitojë vendin në formacion përmes formës sportive, të luajë mirë. Ata janë dy lojtarë të mëdhenj. Nganjëherë luan njëri, ndonjëherë të dy".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit