Dembele si Cristiano Ronaldo: krahasimi pas… shkeljes së syrit

8 Prill 2022
14:10
Denis Hakanaj
back button

Mbrëmja e Europa League ka dhuruar gola dhe spektakël, por edhe një episod kurioz. Në sfidën mes West Ham-it dhe Lyon-it, në fakt, Moussa Dembele, sulmuesi i francezëve, ka shkaktuar kartonin e kuq të rivalit Aaron Cresswell.

Më pas, ai është kapur nga telekamerat duke shkelur syrin, sikur të donte të krenohej që kishte kërkuar dhe arritur përjashtimin e parakohshëm të kundërshtarit.

Gjesti i tij nuk i ka shpëtuar botës së rrjeteve sociale që ka kujtuar menjëherë një rast të veçantë me protagonist Cristiano Ronaldo-n.

Portugezi, në 2006-ën, ka shkaktuar kartonin e kuq të Rooney-t në Kupën e Botës në sfidën e luajtur mes Portugalisë dhe Anglisë, duke këmbëngulur me arbitrin për të ndëshkuar ndërhyrjen e anglezit ndaj Ricardo Carvalho dhe, saktësisht si Moussa Dembele, u ka shkelur syrin shokëve të ekipit.

Edhe në këtë rast gjërat kanë shkuar njësoj. Cresswell ka bërë një ndërhyrje ndaj lojtarit që dukej se nuk e meritonte kartonin, por, i bindur nga Dembele, arbitri ka vendosur ta ndëshkojë futbollistin.

Pak sekonda më pas, sulmuesi i Lyon-it i ka shkelur syrin stolit, i kënaqur me “arritjen” e tij. Ndeshja është mbyllur me barazimin 1-1 pavarësisht se anglezët kanë luajtur me një njeri më pak.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit