Denoncimi i arbitrit të FIFA-s: Edhe Naim Qarri më goditi, më mbetet vetëgjyqësia!

4 Mars 2019
10:24

Një katrahurë e vërtetë ajo e djeshmja në Kamzë, që baltos totalisht futbollin shqiptar dhe ngre pikëpyetje të mëdha mbi seriozitetin e FSHF-së dhe gjithë shtetit shqiptar, sepse nuk është normale që në Kamzë të masakrohet një arbitër dhe në përgjithësi çdo javë të shihen skena të tilla, si ndodhi në Partizani-Flamurtari, apo edhe më parë kur janë goditur arbitrat me sende të hedhura nga shkallët e stadiumit, ndërkohë që nuk është marrë asnjë masë.

Arbitri Eldorjan Hamiti u sulmua nga një tufë njerëzish që kërkonin të shfrynin dufin për një penallti të dhënë në fundin e kohës shtesë, një vetëgjyqësi mesjetare pa asnjë kuptim e logjikë, ndërkohë që në Panorama-Sport vetë Hamiti ka treguar minutat e tmerrit, ku e sulmonin nga gjithë krahët dhe në vend që ta mbronin forcat e sigurisë dhe policia, ishin trajneri Gentian Stojku dhe disa lojtarë ata që u bënë mburojë, ndonëse nuk u shmangën goditjet, deri edhe me copë betoni, ndaj arbitrit të FIFA-s, që në teori ka një status edhe më të rëndësishëm në futbollin shqiptar.

"E kam ndërgjegjen e pastër, nuk i hëngra hakun askujt dhe nuk bëra asnjë gabim. Kush e ka parë ndeshjen, gjykon vetë. Kam marrë goditje pa fund, ndërsa familja është tronditur jashtëzakonisht", shprehet arbitri 35-vjeçar, i cili në një farë mënyre e kupton se tashmë nuk ka ç'të presë as nga FSHF dhe ligji shqiptar.

"Më vranë në fushë, më goditën sa mundën, si mundën. Po u çoj edhe unë gjithë fisin, që të merremi vesh siç e meritojnë ata", thotë Hamiti, i cili akuzon në mënyrë të drejtpërdrejtë presidentin e Kamzës Naim Qarri, edhe pse në fakt pamjet filmike mjaftojnë për të kuptuar gjithçka.

"Nuk kam pasur kurrë probleme më parë në Kamzë. Qarri më goditi, edhe pse u duk sikur erdhi të më mbronte. Qarri u bë iniciatori i asaj dhune. Ankohen për penalltinë? Ishte 100%, as portieri i Kamzës nuk protestoi në atë moment dhe penalltia u dha brenda 5 minutave shtesë, që ishin të justifikuara për ndërrimet dhe vonesat".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit