Depay i bën “skonto” të madhe Barçës, problem mbetet fati i Koeman

14 Maj 2021
9:24
Alfred Lleshi
back button

Edhe pse La Liga nuk ka mbaruar ende, Barcelona tashmë është duke punuar për skuadrën e sezonit të ardhshëm. Klubi pret që të përfundojë auditimi i financave dhe të dijë saktësisht se sa para do të ketë në dispozicion për transferime. Një informacion themelor për të ditur nëse do të jetë në gjendje të afrojë Haaland dhe të mbajë Messin. Ndërkohë, bisedimet po përparojnë me lojtarë të tjerë, të cilët lirohen në qershor.

Njëri prej tyre është Memphis Depay. Barcelona ka një marrëveshje me holandezin, pas bisedimeve të fundit që palët kanë pasur. Futbollisti është një kërkesë e shprehur nga Ronald Koeman, i cili është përpjekur ta afrojë edhe në dy merkatot e fundit. Nuk ishte e mundur, sepse në ato kohë duhej paguar një shifër transferimi te Lyon.

Në fund të muajit del lojtar i lirë, ndaj Barcelonës i duhet vetëm të negociojë kontratën e futbollistit, i cili ka ofruar shumë lehtësira në këtë drejtim. Depay dëshiron të jetë nën komandën e Koeman, një trajner për të cilin di shumë nga ekipi kombëtar hollandez. Për këtë arsye ka vendosur të ulë në mënyrë të konsiderueshme pagën e tij për të qenë te Barcelona sezonin e ardhshëm. Një shifër që është pranuar nga klubi.

Problemi tani lind te vazhdimësia e trajnerit. Nëse Koeman vazhdon ta drejtojë skuadrën blaugrana, Depay do të jetë atje sezonin e ardhshëm. Nëse në fund Laporta vendos të ndryshojë stolin, situata do të pësojë një kthesë radikale, do të ishte e nevojshme të bisedohej përsëri.

Për Koeman, Depay është një futbollist themelor për skuadrën, drejt një hapi më cilësor. Ai është një sulmues që punon në krah, që shënon shumë gola. Ardhja e tij nuk do të thotë se dera është e mbyllur për një sulmues tjetër. Përkundrazi, klubi vazhdon të punojë me idenë për të sjellë një ose dy të tillë për sezonin e ri.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit