Derbi i kryeqytetit nis në… lokal nate, Ngoo feston me djalin e kryeministrit

22 Shkurt 2020
10:42
Alfred Lleshi
back button

Michael Ngoo nuk startoi nga fillimi i supersfidës së javës së 23-të të Superiores, Kukësi-Tirana. U hodh në fushë vetëm në minutën e 59-të, në vend të Muçit, kur rezultati ishte 1-0 në favor të verilindorëve. Sikurse u pa, gjithçka ndryshoi për mirë, sepse fiziku i anglezit impresionon çdolloj mbrojtjeje. Historia dihet tashmë, është e freskët. Tirana shënoi dy gola afër fundit të lojës, brenda dy minutave, duke bërë përmbysjen e madhe. 24 herë kampionët e vendit rrëmbyen kreun e renditjes, në pritje të derbit të madh të kryeqytetit, javën e ardhshme. 

Një fazë e plotë pa asnjë humbje, me vetëm një barazim. Ngoo e festoi në mënyrën e tij këtë triumf, në një lokal nate me shoqërinë. Sikurse duket edhe në një foto të hedhur prej tij në rrjetet sociale, sulmuesi gjigant anglez është gjendur edhe me djalin e kryeministrit të vendit, Greg Rama. Thënë ndryshe, ka festuar me kundërshtarin, nëse abstragojmë se djali i kreut të ekzekutivit shqiptar është me Partizanin, aty ku drejton xhaxhai i tij, Olsi Rama. 

Ndoshta lidhja e gjakut nuk nënkupton detyrimisht edhe të njëjtën skuadër zemre në futboll, pasi nuk kemi të dhëna se me kë është tifoz Gregu. Ndoshta ka qenë rastësi ky pikëtakim në një nga lokalet e kryeqytetit, por në prag të derbit, gjitjhkush mund t’i japë edhe konotacione të tjera. “Kolona e pestë”, “Kali i Trojës”…., mund të huazohen shumë metafora për ta kornizuar festën e përbashkët të Ngoo dhe Greg Rama, duke pasur parasysh antagonizmin e lartë mes tifozërive të dy skuadrave kryeqytetase. 

Madje, madje, edhe politikisht, dy skuadrat në fjalë janë të afishuara në opozitë me njëra-tjetrën. Të gjitha këto, sidoqoftë, nuk vlejnë për dy personazhet e fotos në fjalë. Figurativisht, ama, derbi i së premtes së ardhshme ka nisur “miqësisht” në lokalet e natës. Ndoshta festimet e 100-vjetorit të klubit bardheblu janë të hapura për të gjithë…!!!

Lajme të tjera

Lajmet e fundit