Derbi i Kryeqytetit: një vitrinë e jashtëzakonshme e futbollit shqiptar (VIDEO)

13 Dhjetor 2019
22:02
back button

Edhe njëherë, ashtu si çdo herë, Derbi i Kryeqytetit, Partizani-Tirana, ka dhuruar një atmosferë magjike dhe meriton notën “10”, sepse këtë herë, frikën se “Air Albania Stadium” mund të mos mbushej (21 600 vende) e mundi me një pjesëmarrje masive…

Pak për kuriozitetin e impiantit të ri (për ata që nuk mundën të ishin në Shqipëri-Francë), shumë për përballjen mes dy skuadrave elitare që sa herë sfidojnë njëra-tjetrën, natyrisht që krijojnë një mori emocionesh. 

Ishte edhe rikthimi në tribuna i “Tirona Fanatics”, që prej dy vitesh mungonin shkak bojkoti në stadiumin e tyre “Selman Stermasi”, duke qenë se nuk e kanë pranuar kurrë faktin që të ishin si miq në shtëpinë e tyre kur Partizani ishte pritës.

Në anën tjetër, nga tribuna karshi, ajo “Panajot Pano”, te tribuna “Fatmir Frashëri”, ngjyra e kuqe dominonte skenën, me tifozerinë e Partizanit me një pjesëmarrje të madhe. E të mendosh që dikur n atë stadium luhej në kushte mizerabël, nga stolat e thyer, te tualetet që mungonin, shkallët dhe pisllëku që kishte mbuluar impiantin “Qemal Stafa”… 

Jo më hekura, por një stadium modern, si në vendet e zhvilluara europiane…Akustika ishte perfekte, zhurma që dëgjohej brenda nuk përcillej jashtë stadiumit, ku jeta e Tiranës vazhdonte e pashqetësuar për ata që nuk u interesuan për ndeshjen dhe futbollin.

U mendua se stadiumi do të ishte fantazmë, por nuk ndodhi ashtu: thuajse 20 mijë bileta të shitura! Rekord absolut…

Fusha e justifikoi, me dy ekipe që luftuan dhe ku u shënuan 3 gola, me emocione deri në fund, te shpërthimi i festës bardheblu.

Partizani humbet derbin, Tirana e fiton, por arritja më e madhe është vitrina e futbollit shqiptar në një Ndeshje kurrë banale, por gjithmonë gati për të ndezur zemrat e mijëra tifozësh!

Lajme të tjera

Lajmet e fundit