Tirana ka një hall të madh para ndeshjes me Flamurtarin, pasi trajneri Ardian Mema duhet të mendojë dhe për sfidën e ardhshme kundër Laçit. 5 lojtarë të bardhebluve janë me kartonë dhe rrezikojnë të mos luajnë ndaj kurbinasve. Derbi ka lënë pasoja për 24 herë kampionët e vendit, por duket se dhe transferta delikate e Vlorës mund të lërë po aq shenjë.
Micheal Ngoo, Idriz Batha, Eni Imami, Grent Halili dhe Jurgen Çelhaka rrezikojnë sfidën ndaj Laçit. Të gjithë këta futbollistë janë në kuotën e 3 kartonëve dhe në rast se ndëshkohen duhet të pushojnë një ndeshje. Trajneri me shumë mundësi nuk do t’i aktivizojë të gjithë, pasi ka frikë se mund t’i humbasë ndaj ekipit të Starovës.