Dermaku i “jep besën” Parmës: Nuk prisja kaq hapësira, le t’ia rifillojmë nga Juve

17 Janar 2020
11:36
Alfred Lleshi
back button

Parma doli e mundur nga ndeshja e Kupës së Italisë ndaj Romës, për pasojë edhe e eliminuar. Mbrojtësi shqiptar verdheblu, Kastriot Dermaku, e komentoi rezultatin negativ në mikrofonat e “Rai Sport”: “Ne mund t’i kishim shfrytëzuar më mirë mundësitë e krijuara. Na dhemb mënyra se si shkoi loja. Roma është një ekip, që e luan gjithmonë topin. Në parim, kemi pasur shanset tona. Pas gjuajtjes së Kucka, ne pësuam golin e Pellegrini. Europa? Qëllimi ynë është ai i shpëtimit (mbijetesës në Serie A). Asnjëherë nuk kemi menduar për Kupat e Europës. 

Tani do të shkojmë në Torino, duke ditur se cila është vlera jonë dhe ajo e Juves. Kulusevski? Vijon të punojë fort, ashtu kokulur. Ai është një djalë serioz. Nuk ka demonstruar rënie, meqë firmosi kontratë me Juventusin. Ai vazhdon të japë më të mirën, edhe pse kritikat do të jenë më të mëdha. Është një futbollist me sasi dhe cilësi. Kur ka topin në zotërim, bën gjëra mbresëlënëse. Ai vetëm mund të përmirësohet, unë i uroj më të mirën.

Sfida tjetër, ndaj Juventusit? Do të jetë shumë e vështirë, do të duhet të zhvillojmë një ndeshje perfekte. Mos harroni se luajmë kundër kampionëve italianë. Pjesa e parë e sezonit në planin personal? Jam shumë i lumtur, kam luajtur 10 ndeshje midis kupës dhe kampionatit. Në fillim të sezonit nuk e kisha menduar se do të gjeja aq shumë hapësirë. Më duhet të mos heq dorë, kampionati është akoma i gjatë.

E ardhmja? Tani për tani, nuk kam biseduar me askënd. Synimi im është të qëndroj këtu, kam gjetur një mjedis të shkëlqyeshëm. Dua të qëndroj te Parma”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit