Dëshmi kontradiktore të infermierëve, shtohen pikëpyetjet mbi vdekjen e Maradonës

28 Nëntor 2020
13:20
Alfred Lleshi
back button

Kontradiktat dhe misteret kanë nisur të dalin në pah, lidhur me vdekjen e Diego Armando Maradonës. Ka dyshime se si “Pelusa” u trajtua në orët e tij të fundit të jetës, të cilat iu shtohen deklaratave të para të paqarta në këtë drejtim.

Gazeta “Clarín” njofton se infermieri që kujdesej për Maradonën, me emrin Ricardo, u shfaq për të dëshmuar para prokurores Laura Capra në Njësinë e Udhëzimeve Funksionale (UFI) të Benavídez, në Provincën e Buenos Aires. Ai tha se u largua në orën 06:30 të mëngjesit, kur ish-futbollisti ishte gjallë.

Brenda deklaratave të zbuluara nga “Diario Clarín” është edhe ajo e një ndihmëseje mjekësore, e quajtur Gisela, e cila mori turnin nga ora 06:30 e mëngjesit e tutje. Ajo pranoi një detaj të rëndësishëm, se ishte “detyruar” të hidhte në një raport atë mëngjes kontrollin e kryer për Diego, kur në fakt nuk e kishte bërë këtë realisht, por e la atë të pushonte.

Brenda kontradiktave të publikuara nga gazeta argjentinase në fjalë, infermierja thotë se, pas ndërrimit të turnit, “në 07:30 të mëngjesit e kisha dëgjuar atë të lëvizte brenda dhomës. Në 08:30, ai vazhdon të pushojë. Në 09:20, në kontroll nuk jep shenjave vitale”.

Këto deklarata ndryshojnë panoramën e gjërave. Tani, personi i fundit që deklaroi se e kishte parë gjallë, deri më tani, është infermieri Ricardo, në 06:30 të së mërkurës dhe jo nipi i tij, Johnny Espósito, djali i Marisë (María Rosa), i cili e kishte parë Diegon në orën 11:30 të mbrëmjes së të martës.

Tani lindin pikëpyetje rreth orëve të fundit të Maradonës dhe nëse protokolli i kujdesit thelbësor, që duhej të përmbushej në atë shtëpi, në lagjen San Andrés në Tigre, ishte ndjekur me të vërtetë. Sipas të dhënave të vdekjes, të llogaritura nga mjeku ligjor, i cili bëri autopsinë, Maradona vdiq rreth orës 12:00 të mesditës së të mërkurës, pasi psikologu i tij, Carlos Díaz, dhe psikiatri i tij, Agustina Cosachov, hynë në dhomë dhe vunë re se ai nuk reagoi, kur u përpoqën ta zgjonin.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit