Dështimi i Cungut, apo i Kukësit?

19 Mars 2019
12:27
back button

"Unë nuk heq trajnerë, janë gënjeshtra ato shkrime që unë heq trajner çdo 6 muaj! Kur thoni ju që do shkarkoj trajnerin, unë bëj të kundërtën, e mbaj për shumë kohë". Kështu shprehej para një muaji Safet Gjici, i cili organizoi një konferencë për shtyp për të përgënjeshtruar lajmin se Armando Cungu ishte shkarkuar, si pasojë e një disfate të rëndë në Durrës.

Një muaj më vonë Gjici i ka harruar fjalët e tij, ose ka përfituar nga fakti që nuk është thënë asgjë për largim të Cungut dhe e ka plasur "bombën", trajneri shkodran pushohet nga puna.

Cungu zgjati 8 muaj, vendosi rekord këto vitet e fundit, sepse prej korrikut 2017, kur u largua Ernest Gjoka, asnjë trajner nuk po mbijetonte kaq shumë.

Pesë muaj Mladen Milinkovic, 6 muaj Peter Pacult, sërish revolucion me sezon të nisur, sepse austriaku nisi sezonin aktual dhe u pushua nga puna pas vetëm një ndeshjeje, kundër Valletta-s në Shkodër.

Cungu mori një ekip që nuk ishte ndërtuar prej tij, u ankua pa fund për merkaton e dobët në verë dhe kërkoi përforcime në janar, por pastaj në shkurt habiti me një deklaratë të çuditshme: "Nuk bëhen kaq shumë afrime në janar, na u prish ekipi!".

Një deklaratë që ngjan si akuzë për Gjicin, sepse me sa duket ndonjë lojtar në janar është afruar pa miratimin e trajnerit, përndryshe nuk ka si të interpretohen ato fjalë. Në krahun tjetër, Gjici është biznesmen: "Unë shpenzoj, dua sukses!". Në janar shpenzoi shumë, tmerrësisht shumë, vendin e dytë e arrinte edhe pa milionat e hedhura lumë për Shkurtajn, Rrocën e Valdet Ramën.

Problemi është që futbolli ka ndryshim të madh nga çdo biznes ku punohet me rendiment ditor e mujor. Në futboll duhet strategji, që Kukësi nuk e ka, duhet planifikim, që Kukësi sërish nuk e ka, duhet edhe organizim perfekt. Edhe këtu gjërat çalojnë shumë te Kukësi (klubi nuk ka as zëdhënës), por për sa kohë rezultatet janë të mira, askush nuk e vret mendjen për këto detaje.

E keqja është se tashmë Gjicit nuk i mjafton më as vendi i dytë, për të është dështim të renditesh i dyti duke shpenzuar aq shumë, ndoshta duke harruar që edhe Partizani e Teuta, për shembull, kanë shpenzuar shumë këtë sezon. Partizani e Teuta, për krahasim, janë ende me Gegën dhe Shkëmbin, me shumë gjasa do të jenë me këta trajnerë edhe sezonin e ardhshëm. Kukësi në një sezon ka ndërruar 3 trajnerë, deri tani, sepse nuk dihet sa do zgjatë edhe Ndreu, që është një zgjedhje emergjence dhe mundësi për të mos shpenzuar për trajner të ri. Ky është dështimi më i madh i Gjicit, edhe pse refuzon prerë ta pranojë se trajnerët nuk janë argatë, por pjesë shumë e rëndësishme, thelbësore, e një klubi. Nëse trajneri nuk vlerësohet si duhet, çdo vit do përsëritet ky avaz dhe milionat e shpenzuara do të shpërdorohen, sepse me 1 milion euro në sezon mund të bësh shumë më tepër se ç'ka bërë Kukësi në 2 sezonet e fundit. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit