Detajet e fundit të kontratës, Barça bëhet gati për rinovimin e Messit

26 Korrik 2021
14:53
Alfred Lleshi
back button

Sekretaria teknike e Barcelonës ka një datë në kalendar, që përcakton të gjithë punën e saj në operacionet e merkatos, si në hyrje dhe dalje. Limiti kohor 31 gusht nënkupton përcaktimin e lojtarëve të skuadrës së parë të sezonit të ri dhe, në të njëjtën kohë, të reduktojë faturën e pagave. Pastaj merkatoja mbyllet në ligat kryesore të Europës. Pra, kanë mbetur 36 ditë që kjo të ndodhë.

Deri më tani, Barça ka lëshuar disa lojtarë, por ka ende shumë për “t’iu dhënë duart”, veçanërisht atyre që kanë pagat më të larta: Griezmann, Umtiti, Pjanic, Braithwaite, Neto… Këtu përfshihet edhe ulja e pagave të kapitenëve. Pak nga pak, koha po ecën, pa qenë në gjendje ta zgjidhë bllokimin aktual të “trafikut”. Çështje kryesore mbetet rinovimi i Leo Messit.

PAKTI
Klubi arriti një marrëveshje në parim dy javë më parë me agjentin e lojtarit, Jorge Messi, por nga ai moment avokatët e të dyja palëve duhej të detajonin marrëveshjen e arritur në letër. Ata janë ende në këtë proces.

Sipas burimeve nga Barcelona, ​​klubi po ngutet për ta zyrtarizuar këtë marrëveshje, sepse do të lejojë përparim në dosjet e tjera të largimit ose shitjeve. Çfarë mbetet, që rinovimi i Leo Messi të zyrtarizohet? Kur do të zyrtarizohet ai? Për momentin, Barcelona nuk e di se kur do të ndodhë. Ende nuk është caktuar ndonjë datë.

Nga klubi ata raportojnë se procesi po përparon pozitivisht, Joan Laporta e përsërit këtë fakt çdo herë që kërkohet, por, për momentin, nuk pritet të zyrtarizohet në orët e ardhshme.

GUSHTI
Në parim, klubi priste që të rinovonte që nga kjo javë me kapitenin, por disa detaje mund ta vonojnë këtë nënshkrim deri në javën e parë të gushtit. “Ekziston një dëshirë për ta nënshkruar kontratën, por nuk mund të nxitojmë. Janë disa hapa që duhen respektuar”, – thotë një burim pranë negociatave për katalanasen “Sport”.

Dhe ky është qëllimi kryesor i klubit; të arrijë një skenar në të cilin Messi ndihet rehat. Lojtari, nga ana e tij, është pa kontratë me Barcelonën nga 30 qershori. Ai i ka refuzuar të gjitha ofertat që i kanë arritur, duke pranuar një ulje prej 50% të pagës së tij. Gjithë kjo sakrificë financiare, sepse dëshiron të vazhdojë të veshë fanellën blaugrana.

Vetë klubi, siç referoi Joan Laporta në prezantimin e Memphis Depay, është shumë i respektueshëm për mjedisin e Messit, në mënyrë që t’i ketë negociatat nën kontroll. Momenti vendimtar për këtë “ëndërr”, sipas Laporta, për të njoftuar rinovimin e Leo Messit mund të vijë brenda dhjetë ditëve, kur ylli argjentinas do të kthehet në Barcelonë për t’u ribashkuar me përgatitjet parasezonale, nën urdhërat e Ronald Koeman.

Barça e ka thirrur Leo Messin për t’u bashkuar me skuadrën më 2 gusht. Është e njëjta ditë kur do të shfaqen edhe Kun Agüero, Emerson dhe Araujo, tre lojtarët e tjerë që kanë qenë në “Copa América”. Në atë kohë, skuadra e Koeman do të jetë në Stuttgart për fazën përgatitore.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit