Devolli e fillon “nusërimin” ndaj Partizanit, stolin blu e konsideron shansin e jetës

9 Shkurt 2022
15:18
Alfred Lleshi
back button

E konsideron shansin e madh të jetës, drejtimin e Dinamos. Megjithatë, starti si kryetrajner në Superiore e përball me Partizanin, në derbin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Një kalendar jo fort i dëshirueshëm, sepse në kthimin ndaj “demave të kuq” luhet fati i një kompeticioni të tërë.

Pra, synimi është shkuarja në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, fitimi i këtij trofeu, çka përbën rrugën më të shkurtër të arritjes së Kupave të Europës. Të dyja skuadrat janë shumë larg titullit përmes kampionatit, ndaj do të japin gjithçka në garën e dytë kombëtare për nga rëndësia.

Devolli foli para mediave, në prag të sfidës së zjarrtë me Partizanin: “Jam shumë i lumtur që më është dhënë kjo mundësi të drejtoj Dinamon. Për këtë duhet të falenderoj presidentin, edhe Bledin për punën që ka bërë dhe për mundësinë që më dha edhe ai të futesha te kjo familje dhe te ky klub.

Ekipin e kam parë këto ditë shumë mirë, kemi punuar me seriozitet. Shikoj entuziazëm. Kemi punuar dhe besoj kjo do të jetë motoja, sidomos në këtë situatë ku jemi. Të vazhdojmë me kokën poshtë dhe entuziazëm, çka i duhet shumë ekipit tonë në këtë situatë që po kalojmë. Nesër duam të kalojmë turin dhe të vazhdojmë më tej, sepse ky ka mbetur objektivi ynë i vetëm për të kapur Kupat e Europës.

Kudo që kam qenë, e para gjë që kam kërkuar nga ekipi është zotërimi i topit. Nëse e bëjmë këtë do ta kemi më të lehtë. Duhet të jemi agresivë në të dyja fazat e lojës, sidomos në 20 metrat e fundit. Besoj se do të bëjmë ndeshje të mirë nesër dhe do të kalojmë në fazën tjetër.

Ndryshime në formacion? E kam thënë edhe diku tjetër që ky pozicion është shansi i jetës për mua. Të punosh në një klub si Dinamo, jo kushdo e ka fatin. Do të punoj 24/24 orë që të mos e humbas këtë shans.

Partizanin e kam parë dhe është shumë mirë. Spikat me shpejtësinë pas rikuperimit të topit. Ardhja e Skukës i ka shtuar më shumë thellësi, ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm në momentin që e humbasim topin. Shpresoj të mos e kemi problem finalizimin e Skukës, Malës apo Carës, sepse janë një treshe shumë e frikshme dhe e shpejtë.

Humbjet? Është një gjë i përket të shkuarës. Nuk dua ta kthej kokën mbrapa, dua të shikoj para. Besoj se nesër duhet t’i japim përparësi ndeshjes me Partizanin, ta kalojmë këtë vështirësi dhe të shikojmë përpara”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit