Dhuna në derbi, policia arreston 1, procedon 6 dhe shpall në kërkim 2 tifozë të Tiranës

30 Shtator 2019
9:57
Alfred Lleshi
back button

Derbi i mbrëmshëm i kryeqytetit u gjakos pa nisur ende. Madje, u vu në pikëpyetje zhvillimi I tij. U desh marrja e situatës nën kontroll nga policia dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë, që gjërat të mos agravonin sikajshmërisht. Unifromat blu kanë dalë sot me një komunikatë zyrtare, ku bëjnë me dije se kanë proceduar 9 persona për aktet e dhunës gjatë ndeshjes së futbollit Tirana-Partizani, zhvilluar të dielën në stadiumin “Selman Stërmasi”. Mes tyre, njëri është arrestuar, 6 të tjera procedohen në gjendje të lirë dhe 2 shpallen në kërkim:

“Nga shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.2, në bashkëpunim me shërbimet e forcës së posaçme “Shqiponja” dhe “Shigjeta”, u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, i shtetasit:
– E. B., 29 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Tirana-Partizani ka prishur rendin dhe qetësinë publike dhe është konfliktuar me tifozët e Partizanit. Nga verifikimet e bëra, ky shtetas rezultoi me masë sigurie “Arrest shtëpie”, të cilën e kishte thyer, duke dalë nga banesa.

Janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për “Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe radioaktive”, shtetasit:
– M. M., 22 vjeç, banues në Tiranë;
– A. M., 19 vjeç, banues në Tiranë;
– Th. B., 25 vjeç, banues në Tiranë;
– B. L., 46 vjeç, banues në Tiranë;
– G. Q., 28 vjeç, banues në Tiranë;
– E. B., 29 vjeç, banues në Tiranë;

Këta shtetas gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Tirana-Partizani kanë hedhur në fushë lëndë piroteknike. Janë shpallur në kërkim dhe dy shtetas për veprat penale “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe radioaktive” “Dëmtime të tjera me dashje”, “Prishja e qetësisë publike”. Ata, gjatë zhvillimit të ndeshjes, janë konfliktuar me tifozët e Partizanit. Gjithashtu, dyshohet se këta dy shtetas, gjatë natës, përballë tribunës ku ishin ulur, kishin hapur tre gropa, të cilat i kishin mbushur me një sasi lënde piroteknike me menkanizëm me ndezje elektrike. Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit