Di Lorenzo sheh ëndrra titulli si Maradona, tregon ku gaboi Italia që mbeti jashtë Botërorit të Katarit

15 Nëntor 2022
8:30
Alfred Lleshi
back button

Giovanni Di Lorenzo foli nga grumbullimi i kombëtares së Mancinit, e cila do të përfshihet në dy miqësore kundër Shqipërisë dhe Austrisë, ndërsa Botërori 2022 do të nisë në Katar. Sidoqoftë, tema kryesore është Napoli i tij: “Po luajmë futboll të mirë në Itali dhe Evropë, duhet të vazhdojmë kështu. Po bëjmë diçka të pabesueshme, të papritur.

Askush nuk e priste, por me punën dhe unitetin e grupit po marrim disa kënaqësi të mëdha. Jemi të përmbajtur, gjithsesi, ngaqë kampionati është ende i gjatë. Tiulli kampion? Do të ishte një ëndërr e vërtetë ta fitonim te Napoli, ta fitoja si kapiten si Maradona. Megjithatë, siç përmenda më parë, sezoni është ende i gjatë. Kemi bërë një rrugëtim të rëndësishëm, por ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur”.

Pushimi në një farë mënyre ndaloi serinë e jashtëzakonshme prej 11 fitoresh radhazi në kampionat: “Sigurisht që ishte një periudhë intensive, me shumë ndeshje. Mund të na bëjë mirë ky pushim dhe të fillojmë përsëri në janar me më shumë dëshirë. Pushimi do të jetë aty për të gjithë. Do të shohim si do të rifillojë kampionati, deri tani kemi bërë një rrugë shumë të rëndësishme. Të gjithë jemi të fokusuar në ecurinë tonë dhe nuk duhet të heqim dorë asnjë centimetër”.

Sekreti i skuadrës, sipas Di Lorenzos, nuk është mungesa e “prima donave”: “Vitin e kaluar ishte një grup i bukur dhe askush nuk ndihej përpara të tjerëve. Sigurisht që këtë sezon, falë rezultateve po bëjmë më shumë. Merita e këtyre rezultateve i takon trajnerit, i cili i bën të gjithë të ndihen të rëndësishëm. Kjo çon në ngritjen e nivelit të konkurrencës në grup, merita është sigurisht edhe e tij”.

Nga ana tjetër, Italia pritet të ketë në kalendar dy ndeshje që askush nuk do të kishte dashur t’i kishte: “Qartë, në këtë pauzë të gjithë shpresonim të ishim në Botëror, por kështu shkoi. U larguam me eufori të madhe nga Kampionati Evropian, ndërsa tani duhet të rivendosim gjithçka, të krijojmë një grup dhe mjedis të ri. Kur fiton dhe arrin një moment historik të rëndësishëm si ai në Evropian, priresh ta ulësh nivelin e vëmendjes në mënyrë të pandërgjegjshme.

Ky mund të ketë qenë edhe një faktor që më pas na bëri të mos kualifikoheshim. Pse jemi jashtë Botërorit? Kishte episode të vogla që çuan në dështimin tonë për t’u kualifikuar. Këtu më vjen ndërmend sfida e dyfishtë me Zvicrën, ndeshja në Palermo me Maqedoninë … Të gjithë e dimë se si shkoi. Ishte një rrugë ku detajet bënë diferencën”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit