Diego Simeone e mori falas, klubi portugez e hedh në gjyq për 105 milionë euro

10 Janar 2019
12:35
Alfred Lleshi
back button

Në korrik, Sporting CP vendosi ta denonconte Atlético Madridin në FIFA për nënshkrimin e Gelson Martins. Ai mbërriti si lojtar i lirë tek Atletico Madrid, pas ndarjes me portugezët, duke shfrytëzuar sulmin e ultrasve kundër ekipit dhe disa anëtarëve të stafit.

Klubi i kryeqytetit spanjoll ofroi 15 milionë euro si kompensim, para se ta “rekrutonte” falas atë. Më vonë shtoi 10 milionë të tjera në formë variablash, plus portierin André Moreira. Më në fund, e ngriti ofertën në 22 milionë euro. Sporting CP i refuzoi të gjitha dhe, megjithëse ishte gati t’i zbriste kërkesat në 40 milionë euro, nuk pati asnjë marrëveshje.

Lojtari u bashkua me “rojiblancos” pa asnjë pagesë, por klubi portugez pretendon se Gelson Martins kishte një klauzolë në kontratë, e cila nuk është respektuar. Sporting CP pretendon se bëhet fjalë për 105 milionë euro, në rast të ndërprerjes së kontratës në mënyrë të njëanshme. 

Që atëherë, palët janë takuar disa here për të arritur një marrëveshje dhe për të shmangur gjykatat, por siç raportohet nga “A Bola”, Atletico Madrid nuk do të lëvizë nga oferta fillestare prej 15 milionë eurosh. Diçka që nuk e ka bindur klubin e drejtuar nga Federico Varandas, i cili përfundimisht do ta dërgojë çështjen në gjyq dhe FIFA, me shpresën për të marrë 105 milionë euro. 

Gazeta portugeze në fjalë thotë se me 30, ose 40 milionë euro, Sporting CP do të ishte i kënaqur, por “rojiblancos” nuk e kanë marrë në konsideratë atë shumë. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit