Dikur bashkëlojtarë, sot miq. Blanc zbulon të gjitha sekretet e Guardiolës si trajner

16 Tetor 2019
13:36
Alfred Lleshi
back button

Revista “France Football” ka publikuar një pjesë të intervistës me Laurent Blanc, që do ta botojë në numrin e kësaj jave, kushtuar Josep Guardiolës, me titullin: “Guardiola, gjeniu i futbollit”. Ish-trajneri i Francës dhe PSG thekson se ndan të njëjtin koncept të futbollit me trajnerin e tanishëm të Manchester City. Blanc ishte partner i Guardiolës te Barça në gjysmën e parë të sezonit 1996-1997. Ai rrëfen admirimin që ka për trajnerin katalanas dhe nxjerr në pah Barçën e Johan Cruyff, si referencë të Pep.

“Pep dhe filozofia e tij nuk kuptohen nëse nuk e dimë historinë e lojtarit dhe atë të njeriut, sepse gjithçka rrjedh prej andej. Pep është, mbi të gjitha, një djalë i Barçës dhe “La Masia”. Ai ka të njëjtën ADN, të njëjtin identitet, u krijua nga ky klub, për të luajtur atje, por edhe për ta filluar karrierën si trajner. Nuk kishte vend më të mirë. Ai është, gjithashtu, dhe mbase më e rëndësishmja, një nxënës i Johan Cruyff, nga i cili ka patur mundësinë të mësojë, të rritet, të punojë dhe shkëmbejë vazhdimisht konceptin për lojën, të konsolidojë idetë dhe vizionin e tij të futbollit. Ky pikëtakim e shënjoi atë përgjithmonë. Cruyff vazhdon ta ushqejë mendimin e tij për futbollin, t’ia ndriçojë karrierën si trajner”, – thotë Laurent Blanc.

Ish-trajneri francez vlerëson fazën e Guardiolës si trajner te Barcelona: “Pep ka arritur të sublimojë filozofinë e tij të lojës gjatë katër viteve në krye të Barçës. Mbaj mend lojëra të paharrueshme si ajo kundër Realit, 2-6 në Madrid (2 maj 2009), 5-0 në “Camp Nou” (29 nëntor 2010). Finalet e Champions-it (më 2009 dhe 2011 kundër Manchester United) ishin vepra arti! Unë isha te Barcelona, në djepin e këtij lloj futbolli; ka qenë Messi, Xavi, Busquets dhe Iniesta, ndër të tjerë. Guardiola i ka bërë ata të luajnë “tiki taka”. Më besoni, këtë nuk mund ta mundësojë cilido, askush nuk mund ta mbajë topin dhe ta rikuperojë aq shpejt, pasi e humbet, duke bërë pasimet e duhura në kohën e duhur dhe lëvizjet e mira në hapësirat e duhura. Eshtë shumë e ndërlikuar dhe kërkon një cilësi të jashtëzakonshme teknike. Shumë ekipe donin të ecnin në këtë drejtim, por disa u tërhoqën dhe u kthyen prapa, sepse nuk zotëronin nivelin teknik dhe fizik”.

Blanc nxjerr në pah koinçidencat që ekzistojnë në punën e Guardiolës midis Barçës dhe tani te Manchester City: “Nuk kemi të bëjmë me të njëjtët lojtarë, as të njëjtin kontekst, por filozofia mbetet e njëjta. Kur shikoj ndeshjet e Manchester Cityt sot, i them vetes, si në kohën e Barçës së tij. Çfarë prekje e topit! Për ta bërë këtë, ju duhej të ndryshoni mentalitetin, gjendjen shpirtërore të lojtarëve dhe të gjeni profilet e duhura për t’i zbatuar idetë, veçanërisht në pozicionet kryesore”.

Ish-trajneri i PSG kujton me entuziasëm takimin e tij të fundit me Pep Guardiolën: “E kam takuar Pep gjashtë muaj më parë. Kur flet për futbollin me të, është vërtet diçka e çmendur dhe shpesh mund të zgjasë me orë të tëra. Ai lëviz nga këtu për atje, emocionohet, befas bëhet i pabesueshëm dhe gjithmonë arrin të gjejë argumente për gjithçka, qoftë për t’ju kundërshtuar, ose përkundrazi, për t’ju thënë se mund të shkojmë më tej. Obsesioni i tij është të përmirësojë vazhdimisht lojën dhe efikasitetin e ekipit të tij, sepse mund të vërë në dyshim shumë gjëra dhe, për të filluar, gjithmonë përpiqet të sjellë një risi të vogël, një gjetje tjetër. Ai është i çmendur për futbollin, por kurrë nuk do të devijojë nga linja e tij. Ose, atë ditë që do t’i kërkohet të ndryshojë, do ta braktisë futbollin”.  

Lajme të tjera

Lajmet e fundit