Dinamo i befason të gjithë, trajner dhe sponsor italian (detajet)

15 Tetor 2019
11:15
Alfred Lleshi
back button

Dje dha dorëheqjen trajneri Igli Allmuça, duke e braktisur anijen dinamovite, që këtë sezon dukej se po mbytej. Situata financiare në klubin e njohur kryeqytetas kishte marrë goditje të fortë, me largimin e dy donatorëve, që e bënë tejet konkurruese fanellën blu edicionin e shkuar: Lutfi dhe Avni Nuri. Megjithatë, duket se ka dritë në fund të tunelit. Edhe financat, edhe trajneri e drejtori teknik vijnë nga përtej Adriatikut. Flitet për një sponsor italian, që do të investojë te Dinamo, ndërsa trajneri, po nga ky vend, është zyrtarizuar ditën e sotme. 

Fjala është për Mauro Manzoni, i cili ka nisur punën me blutë kryeqytetas, që garojnë në Kategorinë e Parë, pavarësisht se kanë fituar 18 tituj kampioni në elitën e futbollit shqiptar, si dhe 13 Kupa të Shqipërisë. Përmes faqes së vet në Facebook, Dinamo ka zyrtarizuar rrokadën në stolin drejtues, duke lënë të kuptohet se një erë tjetër po fryn te “nëndetësja”: “Zyrtare; Mauro Manzoni do të jetë trajneri i ri dinamovit.
Tekniku 61-vjeçar vjen nga Italia dhe që nga dita e djeshme ka nisur menjëherë punën në krye të 18 herë kampionëve të Shqipërisë”.

Mësohet se drejtor teknik do të jetë Daniele Delisori, ndërsa sponsor një kompani me seli në Romë. Presidenti i kompanisë italiane në fjalë ka një të kaluar në futbollin italian. Ai ka qenë president i Triestinës, klub që falimentoi nga borxhet. Urojmë që eksperienca te Dinamo të jetë tjetër, sepse “falimentin” ka vite që e vuan kjo skuadër me emër të madh në futbollin shqiptar. Nën presidencën e Besnik Sulajt, në vitet e fundit, “nëndetësja” ka milituar pa asnjë shkëlqim në Kategorinë e Parë.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit