REVOLUCIONI BLU | Dinamo i beson stolin “njeriut të mrekullive” në Slloveni!

14 Mars 2022
15:58
Alfred Lleshi
back button

Dinamo nuk gjen qetësi. Pas humbjes së djeshme, “nëndetësja blu” është detyruar të ndërrojë trajnerin e dytë në këtë sezon, që e sheh si debutuese në Superiore skuadrën e njohur të kryeqytetit. Duke qenë se rrezikon seriozisht mbijetesën, drejtuesit e klubit kanë vendosur të bëjnë rrokadën e radhës në stol. Pas Shkëmbit, sot ka ikur edhe Bledar Devolli. Ja njoftimi zyrtar:

“Në mbledhjen e sotme, pas ndeshjes së humbur me Kukësin, Futboll Club Dinamo me miratimin e presidentit Adrian Bardhi ka marrë vendimin për të ndërprerë me marrëveshje bashkëpunimin me trajnerin Bledar Devolli.

Klubi blu falënderon z.Devolli për punën e bërë dhe për energjitë e tij gjatë kohës që drejtoi skuadrën tonë. Deri në momentin e prezantimit të trajnerit të ri, skuadrën në stërvitje do ta drejtojë zëvendëstrajneri Erion Xhafa”. Sipas burimeve pranë 18 herë kampionëve të vendit, trajneri i ri do të jetë nga Italia. Ai quhet Rodolfo Vanoli dhe e ka ndjekur skuadrën në dy ndeshjet e fundit.

Ai stërviti Mendrisio në Ligën Zviceriane të Futbollit nga 2001 deri në 2004 dhe më pas u transferua në Lugano në dhjetor 2005, i thirrur për të zëvendësuar Paul Schönwetter duke marrë vendin e 8-të në Challenge League. Ka ndjekur kursin master “Kategoria e Parë” për trajnerë profesionistë të mbajtur në Coverciano në vitet 2005-2006.

Në sezonin 2006-07 ai drejtoi Bellinzona nga ku drejtoi ekipin e Udinese “Primavera” dhe, nga janari 2010, shkoi te Colligiana në Lega Pro Divizioni i Dytë. Pasi ishte drejtor teknik i CSKA Sofjes për një periudhë të shkurtër, nga tetori 2012 deri në gusht 2014 ai drejtoi sllovenët e Koperit, duke marrë një vend të dytë në sezonin 2013-2014 dhe duke u kualifikuar në Europa League. Përsëri në pankinën sllovene në prill 2015, duke fituar Kupën e Sllovenisë dhe Superkupën dhe duke rifituar kualifikimin për në Europa League.

Në sezonin 2015-2016, ai mori në prill stolin e Olimpia Ljubljanës, duke e çuar në fitoren e parë të kampionatit slloven. Në sezonin e ardhshëm ai shkarkohet në shtator, pas 9 ditësh. Më 10 janar 2019 ai pranon propozimin e Bisceglie, Serie C, duke marrë vendin e Antonio Bruno. Më 17 shkurt 2021 rikthehet te Koper deri në fund të sezonit dhe nuk konfirmohet.

Njoftim zyrtar ka pasur edhe për ndëshkimin e Sabien Lilajt, pas përplasjes me tifozët blu: “Në mbledhjen e ditës së sotme, Futboll Club Dinamo bën me dije se ka marrë masa administrative dhe financiare ndaj lojtarit Sabien Lilaj, për shkak të sjelljes së tij të pahijshme ndaj tifozëve në përfundim të ndeshjes me Kukësin.

Me porosi të veçantë të presidentit Adrian Bardhi, klubi ka shqyrtuar sjelljen aspak dinjitoze të lojtarit karshi tifozëve, duke e dënuar me forcë atë. Bëjmë me dije se askush nuk mund të shkelë mbi të drejtën e tifozëve. Klubi Dinamo ka marrë masa ndaj lojtarit dhe iu kërkon publikisht ndjesë tifozëve dhe grupimit “Blue Boys”, të cilët janë energjia dhe lojtari i 12-të i skuadrës.

Lojtari Sabien Lilaj ka kërkuar ndjesë për veprimin e tij dhe ka premtuar se do të bëjë të pamundurën për të ndihmuar ekipin në këtë situatë të vështirë”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit