Dinamo-Teuta, flet Arapi: S’e prisja kaq shpejt përballjen me Shkëmbin…

6 Dhjetor 2021
13:57
Alfred Lleshi

Teuta do të përballet me Dinamon nesër, prej orës 16:45 në “Elbasan Arena”. Kampionët e vendit në fuqi e gjejnë “nëndetësen” të goditur psikologjikisht, pas humbjes së thellë në Laç, në javën e 11 -të të Superiores. Megjithatë, trajneri Renato Arapi bën thirrje për kujdes te të tijtë:

“Situata është optimale, të paktën për pjesën e mungesave jemi të qetë. Mungon vetëm Daja, që është me kartonë të verdhë. Atmosfera është shumë e mirë para ndeshjes me Dinamon. Përballja ime me Shkëmbin? Të them të drejtën nuk e kisha menduar që do të kishte ardhur kaq herët përballja me të.

Si unë, si Bledi, jemi mësuar me sfida të reja. Mendoj se do të jetë një sfidë e bukur nesër. Sigurisht që për të dyja ekipet është një situatë pak e vështirë. Unë mund të flas për ekipin tim, jo Dinamon. Pavarësisht rezultateve jo të mira, në ekip mbizotëron besimi, entuziazmi, që na jep shpresë për ndeshjen e ardhshme.

Në këtë moment që ndodhemi nuk duhet të mendojmë për diferencën me Tiranën e vendit të parë. Duhet të mendojmë të fitojmë ndeshjet tona, duke rritur paraqitjet ndeshje pas ndeshje. Jemi munduar të bëjmë pak ndryshime në mënyrën e sulmit, në manovër dhe si do të bëjmë presing. Shpresojmë që t’i zbatojmë ato që kemi kërkuar.

Normalisht, gjithë këtë periudhë kemi punuar në aspektin taktik, në aspektin mbrojtës. Koha është e shkurtër. Ato 2-3 gjëra që kam kërkuar, shpresoj që lojtarët t’i kenë memorizuar dhe t’i shfaqin edhe në fushë.

Patjetër që kam pasur kontakte me presidentin. E mendojmë merkaton e janarit, por nuk mund të flasim për emra konkretë. Jemi të fokusuar te ndeshjet dhe te rikthimi te fitoret sa më shpejt”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit