Disiplina më dorë të hekurt, dënime të ashpra për Partizanin dhe Dajën

27 Tetor 2021
19:23
Denis Hakanaj

Komisioni i Disiplinës ka ndëshkuar ashpër Partizanin dhe trajnerin Ilir Daja për ngjarjet e verifikuara gjatë derbit të zhvilluar kundër Tiranës në Air Albania stadium të hënën, i vlefshëm për javën e gjashtë të kampionatit shqiptar.

Nuk ka shpëtuar as Tirana.

Të Kuqtë do të jenë të detyruar të luajnë katër ndeshje pa tifozë, ndërsa trajneri Ilir Daja është skualifikuar për dy ndeshje për protesta dhe fyerje ndaj arbitrit.

Tirana është dënuar me gjobë dhe do të duhet të paguajë për dëmet e shkaktuara në Air Albania Stadium nga tifozët e saj.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës.

KF Egnatia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të neneve 65/1 dhe 65/3/c të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Zyrtari i KF Egnatia, Eduart Thartori, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

KF Teuta, për mosrespektim të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, duke mos vendosur stemën e Abissnet Superiore, në mëngën e djathtë të fanellës së lojës, në bazë të neneve 63.1, 82.1 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike dhe nenit 14 të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të neneve 65/2 dhe 65/3/c të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

KF Skënderbeu, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të neneve 65/1 dhe 65/3/c të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

KF Tirana, për dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, sjelljes së gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dëmtimin e mjediseve sportive dhe pajisjeve sportive, në bazë të neneve 64/1, 64/5, 65/1, 65/3/a, 65/3/c dhe 65/3/f të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë.

KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

FK Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dëmtimin e mjediseve sportive, pajisjeve sportive dhe duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të lojës, në bazë të neneve 65/2, 65/3/a, 65/3/c, 65/3/f dhe 65/4/b të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë dhe zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë. Në zbatim të nenit 32/1/2/3 të KDS, vendoset pezullimi i pjesshëm i zbatimit të dënimit pas shlyerjes së gjysmës së tij. Periudha e pezullimit me kusht, në zbatim të nenit 32/4 të KDS, do të jetë 6 (gjashtë) muaj.

FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

Zyrtari i FK Partizani, Ilir Daja, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, me gjeste dhe fjalë ofenduese, në bazë të nenit 55/2 të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit