Disiplina me dorë të hekurt ndaj Tiranës, 2 vite pezullim për një futbollist

26 Maj 2023
19:06
Denis Hakanaj
back button

Dhuna e ushtruar nga tifozët ndaj arbitrave në ndeshjen me Bylisin do t’i kushtojë shumë shtrenjtë Tiranës, që thuajse nuk do të ketë gjysmën e ekipit për ndeshjen e fundit të sezonit kundër Erzenit ku do të vendoset edhe titulli kampion.

Komisioni i Disiplinës në FSHF ka marrë një masë të përkohshme, duke e dënuar klubin bardheblu me 90 ditë pa tifozë, ndërsa është hapur një hetim që më pas do të sjellë edhe dënimin përfundimtar.

Ndërkohë për nxitje dhune ndaj arbitrave, portieri i Tiranës Visar Bekaj, është dënuar me gjobë 100 mijë lekë dhe 12 muaj pezullim.

Për dhunën ndaj arbitrave tre lojtarë të Tiranës, Albano Aleksi, Aldi Gjumsi dhe Bruno Lulaj janë dënuar me 6 ndeshje pezullim. Për të njëjtën arsye, por me katër ndeshje pezullim është dënuar golashënuesi Florent Hasani, ndërsa futbollisti Besir Iseni për pështymën ndaj arbitrave është dënuar me dy vite pezullim.

Tirana do të jetë e përgjysmuar në ndeshjen e së hënës kundër Erzenit. Bardheblutë e Orges Shehit nuk do të kenë në dispozicion 5 futbollistë kryesorë, ndërsa titulli gjithsesi duket një mision shumë i vështirë.

Në ndeshjen e fundit të kampionatit Tirana duhet të fitojë patjetër, ndërsa Partizani të humbasë ose të barazojë, pasi me pikë të barabarta të kuqtë janë të avantazhuar për shkak të përballjeve direkte.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës:

Çeljen e hetimit disiplinor për aktet e ndodhura në ndeshjen e javës së 35-të të “Abissnet Superiore” midis KF Tirana dhe KF Bylis.

Marrjen e masës së përkohshme të zhvillimit të ndeshjeve të KF Tirana pa spektator për një afat 90 (nëntëdhjetë) ditor në përputhje me Nenin 91 të KDS deri në marrjen e një sanksioni përfundimtar.

Lojtari i KF Tirana, Visar Bekaj, për nxitje të urrejtjes dhe akteve të dhunës, në bazë të nenit 51/1 të KDS, dënohet me 12 (dymbëdhjetë) muaj pezullim nga të gjitha aktivitetet dhe gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

Lojtari i KF Tirana, Albano Aleksi, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 6 (gjashte) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.

Lojtari i KF Tirana, Aldi Gjumsi, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.

Lojtari i KF Tirana, Bruno Lulaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.

Lojtari i KF Tirana, Besir Iseni, për pështymje ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/c të KDS, dënohet me 24 (njëzet e katër) muaj pezullim nga të gjitha aktivitetet.

Lojtari i KF Tirana, Florent Hasani, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet 4 (katër) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.

Zyrtari i KF Tirana, Arzen Vocaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.

Zyrtari i KF Tirana, Kostandinos Jani, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.

Zyrtari i KF Tirana, Marvi Kastrati, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.

KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të nenit 65/1 dhe 65/3/c të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë.

Lapraka Sport U-15, për aktivizimin e një lojtari që nuk kishte të drejtë të luante në ndeshjen e vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Dytë U-15, Play off kundër AK Selaci U-15, në bazë të neneve 30/3 dhe 53 të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0

Lajme të tjera

Lajmet e fundit