Djali tha se nuk ecën dot dhe është në depresion, Pele qetëson fansat

14 Shkurt 2020
11:10
Alfred Lleshi
back button

Pele i madh, nga Brazili i ka qetësuar fansat e tij të shqetësuar për shëndetin dhe mirëqenien e tij. Ai këmbëngul se është mirë. Djali i Pele, Edinho, tha se babai i tij ndjehej i depresionuar dhe heziton të dalë nga shtëpia për shkak të problemeve të tilla. Sidoqoftë, tri herë fituesi i Kupës së Botës, i cili mbush 80 vjeç në tetor, i kundërshtoi këto zëra për situatën e tij shëndetësore. 

“Faleminderit për lutjet dhe shqetësimet tuaja. Unë jam mirë, do të mbush 80 vjeç këtë vit. Natyrisht, kam ditët e mia të mira dhe të këqija. Kjo është normale për njerëzit në moshën time. Unë nuk kam frikë, jam i vendosur dhe besoj në atë që bëj. Javën e kaluar pata nderin të takoja presidentin e CBF (Federatës Braziliane të Futbollit) në studion ku isha duke xhiruar dokumentarin tim.

Kam kryer dy seanca fotografish muajin e kaluar për fushatat publicitare që përdorin imazhin tim. Kam planifikuar edhe disa evente të ardhshme. Unë nuk i shmangem përmbushjes së angazhimeve, edhe pse e kam orarin gjithmonë të ngjeshur. Vazhdoj t’i përballoj kufizimet e mia fizike në mënyrën më të mirë të mundshme, nuk kam ndërmend ta ndaloj topin së rrotulluari. Zoti ju bekoftë të gjithëve”.

Në një intervistë të botuar nga “GloboEsporte”, të hënën, Edinho tha: “Babai është shumë i brishtë në lidhje me lëvizshmërinë. Ka kaluar në njëlloj depresioni. Imagjinoni, ai është mbreti, ka qenë gjithmonë një figurë kaq imponuese, ndërsa sot nuk mund të ecë siç duhet. Babai u përmirësua pak në krahasim me kohët e fundit, kur ishte në karrocë, por ende ka shumë vështirësi të ecë në këmbë. Nuk dëshiron të dalë, të shihet në publik ashtu, të largohet nga shtëpia. Më duket shumë i trembur, i depresionuar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit