Djarmati i përgjigjet Gjicit: Historia e Kukësit nuk i afrohet aspak asaj të Vllaznisë

28 Nëntor 2020
15:46
Alfred Lleshi
back button

Safet Gjici e ka hedhur i pari dorashkën e sfidës, duke deklaruar: “Ne jemi Kukësi dhe nuk i trembemi Vllaznisë”. Përgjigja ka ardhur nga drejtori sportiv kuqeblu, Matko Djarmati, që ka nënvizuar se statistikat e përballjeve të viteve të fundit janë thjesht numra, nuk mund ta zbehin kurrsesi vlerën dhe historinë e Vllaznisë. Duke folur nga konferenca për shtyp në prag të derbit verior me nënkampionët, kroati iu përgjigj gazetarëve:

Djarmati, nesër ndaj Kukësit në ballafaqimin e radhës. Vllaznia është në krye dhe me siguri që kjo sfidë bëhet edhe më interesante?
Së pari, ju uroj gëzuar Festën e Pavarësisë, uroj të kaloni një fundjavë të mirë. Shpresoj që nesër, pas ndeshjes, shkodranët po ashtu të kenë një fundjavë edhe më të mirë. Sa i takon Kukësit, kjo është një ndeshje e vështirë për ne. Do të kishte qenë mirë të kishim luajtur me Kukësin para dy-tre javësh, kur kjo skuadër nuk ishte konsoliduar ende, ashtu si duhet. Megjithatë, synimet tona shkojnë shumë lart dhe për rrjedhojë e konsiderojmë një ndeshje të radhës. Shpresojmë ta kalojmë sa më mirë.

Statistikat e përballjeve Vllaznia-Kukësi i japin të drejtë Safet Gjicit në pretendimet e tij për ta fituar këtë ndeshje. Sa vlejnë për ju këto statistika?
Statistikat janë thjesht numra. Historia e Vllaznisë kurrsesi nuk mund të krahasohet me atë të Kukësit, është e pakrahasueshme. Me statistika dhe gjithçka tjetër jemi shumë herë më lart sesa Kukësi. Nëse flasim për Kukësin e ri, të këtyre 10 viteve të fundit, padiskutim që është një investim kolosal nga presidenti i vet, por besoj se me këtë nisje që i kemi bërë kampionatit, jemi diçka më përpara se kundërshtari i nesërm.

Kukësi vjen pas një fitoreje të rëndësishme me Laçin. A ua vështirëson edhe më shumë punën kjo gjë?
Nuk kemi të bëjmë më me atë skuadrën me 10 lojtarë, me të cilët ka luajtur në ndeshjen e parë. Ka gjetur edhe portierin, një djalë të ri, Tafajn, i cili nga portier i tretë tashmë është portier i parë. Ka konsoliduar mbrojtjen, ndonëse nuk ka këtë radhë Horiç, por ka lojtarë të tjerë të mirë në këtë repart. Kukësi ka një sulm të frikshëm me Ibrahimin, Taipin, Limajn, Leira, një brazilian shumë i lezetshëm, por besoj se edhe ne jemi gati. E kemi studiuar shumë mirë kundërshtarin, unë, trajneri dhe gjithë lojtarët, e njohim formacionin e Kukësit, e dimë mënyrën si luan. Jemi të gatshëm dhe padyshim favoritë për të fituar, sepse luajmë në shtëpi.

Mbrëmë ka ardhur një lajm i mirë, ai i dhënies së dakordësisë për privatizimin e Vllaznisë. A është përçuar ky lajm edhe tek skuadra?
Ky është një lajm i mirë për klubin dhe besoj se do të jenë drejtuesit e tjerë që do të flasim për këtë çështje. Për mua nuk ndryshon asgjë. Jam tërësisht i fokusuar te Kukësi nesër, tek Bylisi javën tjetër, vetëm këtu jam i përqendruar. Unë që ditën e parë, kur kam ardhur këtu, kam dashur të flasë vetëm për sport dhe asgjë tjetër. Do provoj ta izoloj edhe skuadrën nga kjo gjë.

Nesër Vllaznia do të jetë e detyruar të ndryshojë për herë të parë formacionin si rrjedhojë e mungesave. A do ndikojë kjo tek skuadra?
Kjo është hera e parë që nuk do ta fillojmë një ndeshje kampionati me një 11-she stabël. Por, në adresën time ka patur shumë kritika pse kisha sjellë 15 lojtarë në skuadër. Kjo është arsyeja pse kemi sjellë 15 lojtarë të rinj dhe kemi ndërtuar një ekip me 25 lojtarë, sepse në çdo moment, sa herë të ketë ndryshime, të mos ketë ulje të nivelit të lojës. Nesër nuk do të kemi Isaevskin dhe Da Silvën, por nuk besoj se do të ndihet mungesa e tyre.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit