Djarmati konfirmon përforcimin e radhës te Vllaznia, vjen nga kombëtarja kuqezi

19 Janar 2021
11:16
Alfred Lleshi
back button

Drejtori sportiv i Vllaznisë, Matko Djarmati, ka zbuluar përforcimin e radhës së kuqebluve në merkaton e dimrit. Në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes me Bylisin, ku doli bashkë me kapitenin Gurishta, ai tha se në Shkodër pritet të mbërrijë Klodian Gjino. Po ashtu, drejtori kuqeblu hodhi dritë mbi situatën e Dungës, që kërkon të shitet në Japoni, apo largimin e Ardit Hoxhaj drejt Turqisë: “Jemi këtu me meritë, do të vijojmë të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje. Stafi teknik do ta udhëheqë këtë rrugëtim, më pas të shohim se ku do të jemi.

Merkatoja? Po presim Klodian Gjinon. Nuk ka mbërritur në Shkodër, deri në fund të ditës vjen. Ka luajtur me Kombëtaren U-21. Është një lojtar cilësor. Kemi parë se në 3-4 muajt e fundit ka bërë mirë. Prezantimi i tij do të bëhet direkt. Kishim akord me një lojtar, doli dhe në media, por në mes rrugës ndërroi mendje duke firmosur me ekip tjetër. Nëse nuk nënshkruajmë, nuk është lojtar i yni.

Cisse? Ka cilësi shumë të mira. Ai është i varur nga Dunga. Me gjithë këto burokraci që ka në Afrikë, mendoj se do të vijë. Ka aplikim për vizë pune në Shqipëri. Dunga do të rikthehet në Shqipëri. Klubi japonez kishte ofertë të mirë, ishin tri kompani menaxhimi që kërkonin pjesën e vet, ndaj ka dështuar. Kishim kontakte me klubin, është çështje e hapur, por si fillim do të kthehet në Shqipëri.

Hoxhaj? Ka kontratë për 2 vite e gjysmë. Kush sjell një ofertë, që e bind klubin, do ta diskutojmë. Cilësia e grupit dhe klubit do të rritet edhe nga shitjet. Lojtarët e kanë ëndërr të luajnë në një kampionat më të fortë se në Shqipëri. Ne do të mbrojmë interesat e klubit, që do të thotë se do ketë shitje në momentin e duhur”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit