Djimsiti, çfarë historie! Nga Benevento në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve

12 Mars 2020
10:40
Alfred Lleshi
back button

Sampdoria, Bologna, Torino, Napoli, Roma, Crotone, Inter, Verona, Fiorentina, Cagliari, Lazio, Juventus, Sassuolo, Atalanta. 14 ndeshje, 14 humbje. Para barazimit kundër Milanit, me golin e Brignoli. Nga këto 14 humbje të ecurisë jashtëzakonisht negative të Benevento, në pjesën e parë të sezonit 2017-2018, Berat Djimsiti përjetoi 6 prej tyre në formacion. 

Tashmë, pak më shumë se dy vite më vonë, Djimsiti është titullar i një skuadre që ëndërron gjysmëfinalen e Champions-it. Shqiptari është titullar i një skuadre si Atalanta, e aftë të befasojë tërë Europën. Herë në të djathtë dhe herë në qendër të mbrojtjes me tre të bergamaskëve është ai, shqiptari me pasaportë zvicerane. Sepse Toloi është akoma jashtë për shkak të dëmtimit, natyrisht, por edhe sepse Djimsiti ka treguar se e meriton një vend në skuadrën e Gasperini.

Mbrojtësi ynë kuqezi ishte në fushë në 90 minutat e mbrëmjes historike kundër Valencia, prej nga Atalanta u kualifikua në elitën e tetë më të mirëve në Europë. Dhe bëri mjaft mirë, përkundër tre golave të pësuar, plotësisht të parëndësishëm për kualifikimin.

Për më tepër, Djimsiti e kishte bërë të qartë sezonin e kaluar se ishte një mbrojtës jashtëzakonisht i besueshëm. Me qetësi, pa pretenduar emrin e madh, ai kishte luajtur 24 ndeshje në kampionat, qoftë si titullar, qoftë si zëvendësues. Jo pak. Sapo ishte kthyer nga huazimi i tij te Benevento. Një vit pozitiv për të, për herë të parë i aktivizuar vazhdimisht në Serie A.

Pas ecejakeve në Serie B, gjithçka ka ndryshuar për shqiptarin, që e sheh veten në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Këto ditë, futbolli italian është ndalur nga “Coronavirus”, por ngritja e Beratit vazhdon. Dhe tani ëndrra e tij ka një emër të qartë dhe të saktë: Champions!  

Lajme të tjera

Lajmet e fundit