“Do të kishim bërë të njëjtën gjë”;  Eto’o dhe Totti “votëbesojnë” rinovimin e Mbappe

24 Maj 2022
8:36
Alfred Lleshi
back button

Ndërsa gjysma e qytetit të Milanos po feston çmendurisht titullin e Milanit, dritat e “San Siros” u ndezën sërish mbrëmë falë Samuel Eto’o. Ish-sulmuesi organizoi një ndeshje bamirësie me yjet në fushë, “Ndeshja e Heronjve të Integrimit”, mesazhi i së cilës është përhapja e konceptit të integrimit, kundër çdo lloj diskriminimi.

Të ardhurat financiare do të shkojnë për fondacionin “Samuel Eto’o” dhe shoqatën “Slums Dunk”, të dyja të angazhuara për përmirësimin e kushteve të jetesës së fëmijëve në Kamerun dhe pjesë të tjera të planetit.

Në listën e të ftuarve shfaqen legjenda nga periudha të ndryshme. Ndër të tjera, Francesco Totti, Javier Zanetti, Filippo Inzaghi, Andrea Pirlo, Andriy Shevchenko, Paulo Dybala, Júlio César, Maicon, Fabio Capello, Marco Materazzi, Wesley Sneijder. Para ndeshjes, Samuel Eto’o foli me AS për iniciativën e tij dhe gjithashtu për futbollin aktual.

Për vendimin e Mbappe, ish-lojtari i Barçës ishte i prerë: “Mundem vetëm ta përgëzoj. Ai ka qëndruar te PSG, një ekip që unë e mbështes. Pra është më mirë për ne. Ajo që duam është më e mira në botë. Kur lojtarët nuk janë te Barça, ata shkojnë te PSG, ose anasjelltas. Nëse ai është i lumtur, kjo është mirë për futbollin”.

Për katalanasit e Xavi, kamerunasi shtoi: “Më pëlqejnë shumë, duhet ta përgëzojmë trajnerin për atë që bëri në pak muaj. Sidoqoftë, ai e di: Barça duhet të fitojë. Shpresoj që sezonin e ardhshëm mentaliteti i Barcelonës të jetë njësoj si gjithmonë: fito, fito dhe fito sërish duke luajtur mirë”.

Francesco Totti, nga ana e tij, shkoi në këtë sfidë bamirësie me një synim: të bindë Paulo Dybala të bashkohet me Romën. Verdhekuqtë janë të interesuar për argjentinasin, i cili po largohet nga Juventus si lojtar i lirë dhe është gjithashtu në fokusin e Interit. “Me kënaqësi do t’i jepja numrin tim 10, – tha “Il Capitano”, – por nuk vendos unë. Do të përpiqem ta bind”.

Italiani përveç kësaj i është përgjigjur me të qeshur pyetjes për Mbappe: “Të njëjtin vendim do ta kisha marrë dhe unë po të isha në vend të tij, ju them të vërtetën”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit