Pas humbjes në derbi, Milani ka reaguar fuqishëm në lojë dhe rezultate, duke kujtuar, sipas disave, në një farë mënyre atë të shumë viteve më pare, që dominonte në Itali dhe Evropë. Një ish i shkëlqyer kuqezi, Roberto Donadoni, u shpreh për këtë temë në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”.
Donadoni bëri një krahasim me epokën e tij dhe, duke folur për skuadrën aktuale, shprehu vlerësimin personal për një lojtar në veçanti: “Milani i sotëm më kujton timin. Asnjë polemikë, skuadër e organizuar dhe me frymë bashkëpunimi. Mua më pëlqen shumë Pulisic”.
Ndërkohë, tri mungesa të rëndësishme dhe të gjitha në mesfushë konfirmohen për Milanin, i cili pas dëmtimeve të Bennacer dhe Krunic, tani duhet të përballet me ndalimin e Loftus-Cheek. Një skenar që e detyron Piolin të vlerësojë lëvizjet e reja në kuadër të ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Borussia Dortmundit.
Sipas “Corriere dello Sport”, për ndeshjen e nesërme në Champions, kuqezinjtë duhet të aktivizojnë një mesfushor të ri. Prania në fushë nga minuta e parë e Reijnders, Musah dhe Pobega është praktikisht e sigurt.