Donnarumma është bërë idhulli i ri i PSG-së, askush më mirë se ai në Evropë

5 Mars 2024
11:53
Alfred Lleshi
back button

Bota e Gianluigi Donnarumma në Paris është kthyer përmbys në vetëm pak muaj. Kohërat në të cilat shtypi dhe tifozët e PSG-së bënin thirrje për ndryshimin e bujshëm mes shtyllave duken të largëta.

Paraqitjet e portierit italian, për më tepër, janë rritur dukshëm javët e fundit. Aq sa tani ka duartrokitje, nota shumë të larta në raporte vlerësimi dhe tituj që e kurorëzojnë atë si portierin më të mirë në Evropë.

E gjitha kjo ashtu si “trashëgimtari” i tij Maignan pati disa ditë të këqija te Milani, gjë që edhe pse nuk vinte në dyshim cilësinë dhe potencialin e tij, filloi t’i shqetësonte tifozët kuqezinj. Siç u përmend, Donnarumma kaloi një periudhë shumë të vështirë afër Krishtlindjeve, kur gazetat franceze po kërkonin që Gigio të ulej në stol nga Luis Enrique.

Në fakt, Donnarumma nuk u konsiderua si portieri i duhur për lojën e trajnerit të ri, që kërkon ndërtim nga fundi (portiere) për të nisur aksionin. Puna me këmbë, nga ana tjetër, nuk ka qenë asnjëherë cilësia më e mirë e Donnarumma, por muajt e fundit është përmirësuar shumë edhe në këtë specialitet.

Skualifikimi me dy ndeshje i Donnarumma, pas përjashtimit me karton të kuq në Le Havre, i dha mundësinë e madhe Tenas, por e bëri italianin të mendohej. Pasi u kthye mes shtyllave, Donnarumma i bëri të qarta gjërat. Ai është portieri fillestar për PSG-në, pa asnjë diskutim.

Dhe numrat, në këtë kuptim janë të gjithë në anën e tij. Donnarumma është i dyti në Evropë për përqindjen e pritjeve, vetëm pas kolegut të Interit, Sommer. Jo vetëm kaq. Nëse PSG e la stadiumin “Monte Carlo” e pamposhtur në ndeshjen e fundit të Ligue 1, merita i takon mbi të gjitha Donnarummas, i cili e shpëtoi portën e vet me të paktën 5 ndërhyrje vendimtare.

Një performancë “monstruoze”, e shpërblyer nga “L’Equipe” me notën 9, ku ndër të tjera shkruhet: “Performancë e jashtëzakonshme. I fortë si kurrë më parë, askush më mirë se ai në Evropë. Një magjistar”.

Kontrata e Gianluigi Donnarumma me PSG skadon më 30 qershor 2026, por nuk duket më asnjë dyshim për qëndrimin e tij në Paris. Portieri Italian, në fakt është bërë idhulli i ri i tifozëve të tradhtuar nga Mbappe dhe mund të rinovojë kontratën në muajt në vijim.

Donnarumma nga ana e tij asnjëherë nuk e shprehu synimin për t’u larguar, as në momentet më të vështira si ato të eliminimit të dyfishtë në Champions League kundër Real Madridit dhe Bayern Munich, kur përfundoi në bankën e të akuzuarve, përtej përgjegjësive të tij reale.

Një lajm i mirë, të paktën në këtë front, edhe për Luciano Spalletti, i cili e mbrojti Donnarumma kur dikush kërkoi të shqyrtonte idenë për ta lënë mënjanë edhe në kombëtare, për t’i besuar Gugliemo Vicario, protagonist i madh në Premier League me Tottenham.

Donnarumma, pra, do të jetë portieri titullar dhe ndoshta edhe kapiteni i Italisë në “Euro 2024”. E gjitha kjo tri vite pas triumfit në “Wembley”, kur Gigio ishte protagonist absolut në suksesin italian. Veç fitimit të Kampionatit Europian, portieri italian u vlerësua si lojtari më i mirë i kompeticionit. Në moshën vetëm 25 vjeç, nga ana tjetër, më e mira për Donnarumma nuk ka ardhur ende.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit