Donnarumma-PSG, përpara me besim. Nga e hëna mund të mbyllet operacioni

12 Qershor 2021
13:08
Alfred Lleshi
back button

Përpara me besim. Qëllimi nuk është larg. Dhe për Gigio Donnarumma do të thotë fanellë e re dhe jetë e re. Te PSG e Emirit të Katarit, nën Kullën Eiffel; së bashku me Neymar, Mbappé dhe shokun e tij të kombëtares, Verratti. Me pak fjalë, në orët e fundit negociatat kanë shkuar në drejtimin e duhur dhe nga e hëna gjithçka mund të mbyllet. Marrëveshja midis ish-portierit kuqezi dhe parizienëve “po piqet në furrë”. Bëhet fjalë për detaje të vogla, që duhen saktësuar; duke filluar me organizimin e ekzaminimeve të zakonshme mjekësore.

Në çdo rast, të dyja palët kanë ndërmarrë një hap të ri të rëndësishëm konvergjence dhe ekziston qetësia. Një detaj i rëndësishëm në një kontekst të tregut, që është i prirur për spekulime, veçanërisht mbi pagat. Nuk flitet për më shumë se 12 milionë euro, por pika e përbashkët duket më afër, krahasuar me pikën fillestare të pagës mesatare te parizienët. Me shumë të ngjarë, pra, Donnarumma do të përfshihet në pjesën e sipërme të listës së pagave të klubit të sheikut nga Katari. Duhet pasur parasysh se në Francë taksat janë shumë më të larta se në Itali për futbollistët.

Në këtë fazë të nxehtë, megjithatë, po reflektohet mbi organizimin e ekzaminimeve mjekësore dhe më pas të nënshkrimit të kontratës. Për ish-mesfushorin e Liverpool, Georginio Wijnaldum, i cili nënshkroi një kontratë 3-vjeçare si lojtar i lirë, PSG dërgoi emisarët e vet direkt në kombëtaren hollandeze. Përveç surprizave, nga e hëna e tutje, e njëjta gjë mund të ndodhë për Donnarumma, por në përputhje të plotë me kalendarin dhe agjendën e ekipit kombëtar italian, në mënyrë që të mos ndërhyhet në punën e trajnerit Mancini. Edhe ky i fundit shpreson që çështja të zgjidhet shpejt, për ta lejuar portierin të përqendrohet tek Europiani, pa shpërqendrime e mundshme mbi të ardhmen.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit