“Dorëzohet” Ceferin: Nëse qeveritë i ndërpresin kampionatet, ne nuk bëjmë dot asgjë

15 Maj 2020
9:38
Alfred Lleshi

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, foli për përfundimin e parakohshëm të Ligue 1, duke e konsideruar një vendim të nxituar, pasi gjërat mund të përmirësohen shumë. Kampionati francez u bë i pari nga 5 më të mirët europianë, që zgjodhën këtë rrugë ekstreme mes pandemisë së koronavirusit.

Autoritetet atje kristalizuan renditjen, duke siguruar kështu respektimin e kualifikimeve për në garat europiane. Ndërkohë, Bundesliga kthehet këtë fundjavë; Premier League vazhdon me planet e saj të rifillimit, të cilat kanë marrë mbështetje nga qeveria. Ceferin, duke folur për “beINSports”, shpjegoi:

“Për ne, gjëja e rëndësishme është të dimë kush është kampioni, kush i dyti, kush i treti dhe kush i katërti. Mendimi im personal është se, përmbyllja e sezonit kaq herët nuk konsiderohet gjëja ideale, sepse situata mund të përmirësohet shumë dhe të gjithë mund të luajmë, përveç disa kampionateve. Por, nëse është një vendim i qeverisë, çfarë mund të bëjnë klubet? Apo Liga? Ato nuk mund të bëjnë asgjë. Për mua, megjithatë, vendimi ishte i parakohshëm. Kjo nuk ndikon në garat e UEFA-s, Champions dhe “Europa League”, kështu që është vendimi i tyre”.

Pra, kjo nuk ndikon në praninë e dy klubeve të Ligue 1 në Ligën e Kampionëve: PSG dhe Lyon. Parizienët, të cilët janë shpallur kampionë të Francës, edhe një here, pas ndaljes së kampionatit, janë tashmë në 1/8 finale të Champions-it të këtij edicioni. Lyon, ndërkohë, e fillon kthimin e po këtij raundi nga epërsia 1-0 ndaj Juventus, siguruar në sfidën e parë. Ceferin pyetet nëse pushimi i gjatë do të dëshmohet i dobishëm apo jo për të dyja skuadrat në fjalë:

“Ne kemi dy ekipe franceze në Ligën e Kampionëve dhe tani ato nuk do të luajnë deri në gusht. Nuk e di nëse është mirë për to, të mos luajnë kaq gjatë, pastaj të garojnë në ndeshje kaq të vështira dhe të rëndësishme. Sidoqoftë, ky nuk është vendimi i UEFA-s dhe ne e respektojmë atë. Klubet duhet të respektojnë vendimin e qeverisë. Ne nuk do të merremi me situatën, sepse varet nga disa organe në Francë. Ne kemi dërguar udhëzime të qarta mbi arsyet sportive, si formula për t’u kualifikuar në Champions dhe Ligën e Europës”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit