Drama e Gascoigne, zbulohet operacioni ekstrem kundër alkoolit

18 Janar 2020
12:08
Alfred Lleshi
back button

Jeta e Paul Gascoigne është saktësisht si karriera e tij: një vazhdimësi e gjatë ulje-ngritjesh. Anglezi, i konsideruar “i vetmi kampion i brezit tim” nga trajneri i “Tre Luanëve”, Southgate, kurrë nuk ka qenë në gjendje të shprehë talentin e tij në fushën e blertë. Fajin e kishin lëndimet dhe një tendencë e caktuar për ta ekzagjeruar me shaka dhe vese. Pasi “vari këpucët në gozhdë”, Gazza përjetoi çdolloj situate të vështirë, deri kritike për jetën. Ai u shtrua në spital për problemet me alkoolin, falimentoi financiarisht, u rehabilitua, për të pirë përsëri alkool me… shishe. Megjithatë, tashmë, siç shpjegon për “Daily Mirror”, ka vendosur të bëjë një ndryshim rrënjësor në jetën e tij.

OPERACIONI – Me një metodë jo shumë “ortodokse”, por që duket se funksionon. Një operacion, që mund ta bëjë atë ta ndalojë pijen. Pika e parë për ta filluar rehabilitimin përsëri, pa rrezikuar ta humbasë betejën kundër “demonëve” alkoolikë: “Unë kam qenë në Australi dhe kam shpenzuar 20.000 stërlina, përfshirë udhëtimin, për një operacion, që më bën ta ndaloj pirjen. Atje më kanë futur diçka prej peleti në stomak (lëndë djegëse, e marrë nga druri i virgjër, që nganjëherë fillon nga përpunimi i mbeturinave, si tallash, patate të skuqura, copëza…, në formë cilindrike, me gjatësi tipike midis 5 mm dhe 30 mm, dhe me skaj të thyer, të prodhuar nga biomasa e pulverizuar, me, ose pa aditivë të ngutshëm), gjë që të bën të ndihesh keq nëse pi shumë. Kjo do të thotë që, nëse je me miq dhe do të pish një birrë apo një gotë verë, mund ta bësh, por nuk mund ta kalosh këtë cak. Përndryshe, efektet janë nga ato, që nuk harrohen lehtë. Sapo prek alkoolin, ose drogën, ndihesh shumë keq”. 

REHABILITIMI – Kjo metodë, sado ekstreme, duket se ka pasur efektet e pritura. Dhe Gazza zbulon me krenari se gjërat janë më të mira: “Tani mund të endem në rreshtin e supermarketeve dhe dora im nuk shkon te raftet e pijeve alkoolike, birrave etj. Jam në gjendje t’i rezistoj tundimit”. Një metodë e re dhe e vështirë, por që po kthehet në përvojë detoksifikimi te Gascoigne. Ata që në jetën e tyre kanë luftuar kaq shumë ndaj veseve të tij, me të vërtetë mund ta kuptojnë situatën. Sidoqoftë, Gazza nuk e humbet dëshirën për të bërë shaka: “Ka ekspertë të verës, ndërsa unë jam ekspert i rehabilitimit. Kam hequr dorë nga pijet alkoolike dhe energjike; mund të përdor ndonjë shurup apo laksativ, në raste pushimesh”. Dhe pavarësisht gjithçkaje, Paul nuk e ka humbur ende busullën… Është rrëzuar disa herë, ka parë edhe vdekjen me sy nga abuzimi me pijen, por tashmë e ka futur në stomak armikun e alkoolit, drogës e gjithçkaje tjetër të këtij lloji. Një vetësakrificë e jashtëzakonshme, në emër të jetës dhe shëndetit…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit