Drama Kamza, më të dhunuarit janë lojtarët

5 Mars 2019
10:48
back button

Ajo që ndodhi në Kamza-Laçi është parë e diskutuar pa fund, tashmë është e qartë për të gjithë dhe thjesht pritet dënimi i klubit kamzali, që do të jetë shumë i rëndë, sepse Komisioni i Disiplinës dhe FSHF nuk gjejnë dot më asnjë shteg për të bërë lojërat e zakonshme me gjoba, paralajmërime, dënime qesharake fushe dhe falje të tipit Këlcyra.

Tashmë Kamza është e pashpresë, sido që të shkojë, sepse alternativa e parë është përjashtimi nga kampionati dhe e dyta është heqja e të paktën 6 pikëve në renditje, me mbyllje stadiumi deri në fund të sezonit dhe përjashtim nga futbolli të gjithë drejtuesve, për një periudhë të caktuar apo përjetë (natyrisht edhe aty do ketë amnisti pas pak muajsh, mos kujtoni se do bëhet nami).

Në gjithë këtë katrahurë, pas arbitrit Eldorian Hamiti viktimat e mëdha janë futbollistët e Kamzës. Lojtarë në kulmin e karrierës, që luajnë prej muajsh pa marrë asnjë pagesë, Sebino Plaku me shokë kanë besuar gënjeshtrat e drejtuesve të Kamzës dhe kanë mbetur viktima të luftës Qarri-Mziu, me kryebashkiakun që ka mbyllur rubinetin e parave dhe presidentin Naim Qarri që nuk ka fuqi financiare për të mbajtur i vetëm një klub të Superiores.

Tashmë paratë janë një temë e mbyllur, Kamza nuk do të paguajë askënd, edhe nëse nuk përjashtohet, sepse heqja e pikëve e zbret që tani nga kategoria. Paratë ndoshta do të merren ndonjëherë në të ardhmen, me gjyqe në FSHF e FIFA, por ndërkohë jemi në mars dhe ndoshta të gjithë lojtarët do të mbeten në rrugë të madhe, në pritje të merkatos verore, me shpresën se do të gjejnë ekip të ri. Në korrik, kur nisin zakonisht transferimet, disa lojtarë do të gjejnë ekip, por shumë të tjerë do të vuajnë faktin që janë pa futboll prej muajsh.

Pa para prej vjeshtës së shkuar, të rraskapitur mendërisht dhe me probleme financiare të mëdha, futbollistët e Kamzës janë viktimat e mëdha jo thjesht të sulmit ndaj Hamitit, por viktimat e gjithë sistemit të kalbur ku jetojmë. Shteti nuk e ka mendjen te sporti, e trajton si shfaqje të huaj, nga ato që komunizmi një herë e një kohë i zhdukte nga rrënjët.

Federata Shqiptare e Futbollit është e pafuqishme, e paaftë dhe pa dëshirë për t'i mbrojtur futbollistët, duke mos bërë as minimalen, të kërkojë dokumentacionin që lojtarët janë paguar rregullisht në bankë. Edhe kur futbollistët ankohen në FSHF, u kërkohen shifra skandaloze për të hapur një çështje në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve, ndërkohë që Shoqatë Futbollistësh nuk kemi. Nëse do ta kishim, siç ekanë gjithë Europa, ndoshta rastet Kamza dhe Flamurtari do bënin që të ndalej kampionati, me urdhër të Shoqatës së Futbollistëve. Nëse futbollistët nuk dalin në fushë, kush do luajë, presidentët e klubeve dhe FSHF-ja?

Lajme të tjera

Lajmet e fundit