Drama në Vlorë, Musta e Ribaj: Shpresojmë të paguhemi, kemi familje!

3 Maj 2019
14:16
Eraldo Harlicaj
back button

Flamurtari do të luajë ndaj Partizanit në një ndeshje mjaft të rëndësishme për të dyja ekipet. Vlonjatët duan të arrijnë Europën, ndërsa "Demat" të mbyllin llogaritë me titullin kampion. Takimi do të luhet ditën e shtunë në stadiumin e qytetit bregdetar, ndërsa përpara sfidës kanë folur Andi Ribaj dhe Emiliano Musta. 

Të dy qëndrojnë në të njëjtën linjë dhe shprehin besimin se do të arrijnë Europën, pavarësisht se nuk janë paguar. I pari foli Musta në lidhje me situatat që kanë përfshirë kampin kuqezi. 

"Është një ndeshje mjaft e vështirë, pasi luajmë me vendin e parë. Do mundohemi të arrijmë fitoren në këtë takim, pasi një tri pikësh na ndihmon shumë për të hedhur një hap të sigurt për Evropën. E parashikoj një ndeshje të vështirë dhe do të jetë një sfidë e bukur për t’u parë dhe për t’u luajtur”.

Ai ka folur më tej dhe për çështjen më të rëndësishme te bregdetarët, pagat e padhëna. "Për pagat vazhdon e njëjta histori. Ne jemi në pritje. Ne jemi aktorët në fushë dhe për gjërat e tjera nuk kemi gjë në dorë. Tani po vjen fundi dhe çdo gjë do ndahet. Shpresoj të paguhemi, pasi me këtë punë mbajmë familjet. Ne jemi profesionistë dhe kemi dhënë gjithmonë më të mirën dhe nuk është gjë e mirë që kemi kaq muaj pa rroga. Kemi dhënë 100% në fushë dhe shpresojmë që drejtuesit të na e shpërblejnë”.

 Ribaj shkon në të njëjtën linjë me shokun e tij të skuadrës. Ai mendon se takimi do të jetë i qetë dhe problemet e ndodhura në fazën e tretë duhet të mbesin mbrapa. "Ndeshja e fazës së shkuar është mbyllur atje. Nuk dua dhe shpresoj që mos të përsëriten të njëjtat gjëra. Tifozët e Flamurtarit nuk duhet të bëjnë diçka të tillë si tifozët e Partizanit, pasi dënojnë veten e tyre dhe ekipin. Nuk duhet që këto gjëra të ndodhin në fushën tonë”.

Ai mendon se vlonjatët nuk do e lëshojnë vendin e tretë. “Besoj se do të jemi në vend të tretë. Do i marrim ndeshjet një e nga një edhe këto pesë që kanë ngelur. Grupin dhe të gjitha i kemi dhe shpresoj që të arrijmë objektivin që kemi vendosur të gjithë". 

 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit