Dramë e njëllojtë si e Eriksen, futbollisti i Vllaznisë pëson arrest kardiak në fushë

25 Prill 2022
11:10
Alfred Lleshi
back button

Mrekullia në fushat e futbollit e ka emrin Alban Rexhepi kësaj here. Situata e rëndë shëndetësore ka qenë njësoj me atë të Christian Eriksen në ndeshjen e “Euro 2020”, Danimarkë-Finlandë, kur mesfushori në fjalë pësoi arrest kardiak në fushë dhe mbeti gati 5 minuta pa shenja jete.

Ndërhyrja e stafeve mjekësore dhe e shokëve të skuadrës ia shpëtuan jetën “artistit” të futbollit danez. Natyrisht, rasti me futbollistin shqiptar ditëne djeshme nuk mund të kishte përmasat mediatike të Eriksen, por drama ishte e njëjtë.

Fatmirësisht, është evituar më e keqja. Kështu, sulmuesi i Vllaznia të Pozheranit në Kosovë, Alban Rexhepi (ka luajtur edhe me Laçin e Burrelin në Shqipëri), ka pësuar arrest kardiak gjatë ndeshjes ndaj Flamurtarit, e vlefshme për Ligën e Parë kosovare. Klubi “Vllaznia” ka njoftuar se Rexhepi është dërguar me urgjencë në QKUK dhe i është vendosur një stentë, ndërsa tani është në gjendje të stabilizuar:

“Gjatë ndeshjes mes KF Vllaznia Pozheran dhe KF Flamurtari, sulmuesi i krahut i klubit tonë Alban Rexhepi kishte një shqetësim shëndetësor gjatë zhvillimit të pjesë lojës së dytë. Pas vizitës në QKUK u konstatua se kishte pësuar arrest kardiak.

Mjekët në qendrën klinike universitare intervenuan dhe i vendosën një stentë. Albani tani është ne gjendje stabile dhe ka filluar ta marrë veten. Një faliminderim i veçantë shkon për intervenimin e shpejtë dhe të suksesshëm nga mjekët tanë. I urojmë Albanit shërim të shpejtë!”

Edhe presidenti i FFK, Agim Ademi, ka bërë reagimin e tij për rastin, pasi e ka vizituar futbollistin në spital: “Në orët e mbrëmjes isha për vizitë në QKUK te futbollisti i KF Vllaznia nga Pozherani, Alban Rexhepi.

Ai në ndeshjen e sotme të Ligës së Parë, Vllaznia-Flamurtari, shfaqi disa shenja shqetësimi në shëndet gjatë pjesës së dytë, derisa pas ekzaminimeve mjekësore u konstatua se kishte arrest kardiak dhe si rrjedhojë ishte e domosdoshme t’i vendoset një stentë. Fatmirësisht Albani tashmë është në gjendje të mirë, falë intervenimit të shpejtë të stafit mjekësor të QKUK-së.

E urova për ta tejkaluar sa më parë këtë gjendje si dhe ia shpreha gatishmërinë për ndihmë në rast nevoje në të gjitha format. Urojmë që ai sa më parë të rikthehet pranë familjes, por edhe klubit dhe futbollit. Shërim të shpejtë Alban! Të presim më të fortë!”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit