Geoffrey Moncada, i cili iu bashkua Milanit në vitin 2019 si krye skaut, pas eksperiencës së tij te Monaco, që nga vera e vitit 2023 mban rolin e drejtorit teknik të klubit kuqezi. Duke punuar ngushtë me administratorin e përgjithshëm Giorgio Furlani, këshilltarin e lartë të “RedBird”, Zlatan Ibrahimovic dhe trajnerin e ekipit të parë, Moncada foli për transferimin e Alvaro Morata te “Djalli” verën e këtij viti:
“Morata është shembulli perfekt i jo-algoritmit. Zgjodhëm kapitenin e kombëtares spanjolle, një lojtar që ka fituar gjithçka dhe ka luajtur më parë në Itali. Isha plotësisht i bindur për Alvaron. Kisha siguri të plotë se ishte lojtari i duhur për ne. Ai ka një mentalitet të fortë lideri, ndihmon shumë në dhomat e zhveshjes.
Kush e bëri telefonatën e parë? Jo unë. Fillimisht fola me agjentin e tij, sepse duhet bërë edhe kjo punë (qesh). Më pas Zlatan bisedoi me lojtarin, sepse e njihte, pastaj folëm së bashku. Më pëlqen ky transferim, sepse nuk erdhi nga algoritmi, që përdorim zakonisht në merkato. Sezonin e kaluar ai shënoi 22 gola për Atletico Madridin. Për ne është ende një lojtar shumë, shumë interesant. Jam i lumtur që edhe ai ndihet shumë mirë këtu”.